Aksion për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet, procedohet penalisht pronari i lokalit në Astir!
Dy persona janë proceduar penalisht në kryeqytet pasi ka zënë në formë të paligjshme hapësirën publike duke e vendosur në shërbim të bizneseve të tyre pa leje përkatëse.
Konkretisht bëhet fjalë për një hapësirë të ndodhur në rrugën “Sami Frashëri”, e cila është zënë nga 26-vjeçari A. M., duke e kthyer pronën publike në vendparkim privat. Gjithashtu në zonë ai kishte vendosur dhe një kontinier pa lejen e organeve kompetente. Sakaq, autoritetet kanë proceduar penalisht 26-vjeçarin.
Ndërkohë penalisht është proceduar dhe 34-vjeçari F. T., i cili kishte vendosur në shërbim të biznesit të tij bar-kafe pronën publike në zonën e Astirit. Ndaj 34-vjeçarit ka nisur procedimi penal për veprën penale “Pushtimi i Tokës”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, pasi dyshohet se kishte zënë në mënyrë të paligjshme një hapësirë në rrugën “Sami Frashëri”, të cilën e përdorte si vendparkim privat. Gjithashtu, kishte vendosur në pronën e tij një kontinier, pa lejen e organeve kompetente.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), gjatë kontrollit në zonën e Astirit, konstatuan se një sipërfaqe publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe përdorej si ambient bar-kafe.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.