Operacioni "By pass"/ Arrestohet 28-vjeçari që transportonte emigrantë të paligjshëm
Finalizohet operacioni policor i koduar "By pass", për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Arrestohet një 28-vjeçar që u kap duke transportuar 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 1500 euro për person.
Operacioni u realizua nga Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme dhe Forca e Posaçme "Shqiponja", duke u bazuar në informacionet operative. Shtetasi A. M., i cili kishte kaluar më parë për probleme me ligjin, është arrestuar në flagrancë, ndërsa emigrantët procedohen në gjendje të lirë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar "By pass", për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit monetar, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar që u kap duke transportuar 4 emigrantë, të cilët kundrejt pagesës 1500 euro për person, synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Malin e Zi.
Procedohen në gjendje të lirë emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm nga Gjirokastra drejt Shkodrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "By pass".
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Në afërsi të rrethrrotullimit "5 Heronjtë e Vigut", shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 28-vjeçarin duke drejtuar, pa leje drejtimi, një automjet tip "Audi", me të cilin po transportonte 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se 28-vjeçari i arrestuar iu kishte premtuar transportimin nga Gjirokastra në drejtim të kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 1500 euro për person, 4 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 4 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.