Paralajmëron Bashkia Lezhë: Rryma të forta dhe dallgë në det, rrezik për pushuesit

Aktualitet

Paralajmëron Bashkia Lezhë: Rryma të forta dhe dallgë

Bashkia e Lezhës ka paralajmëruar qytetarët dhe pushuesit për kushtet e paqëndrueshme atmosferike që pritet të ndikojnë zonën bregdetare gjatë ditës së sotme dhe në ditët në vijim. Sipas njoftimit zyrtar, deti do të jetë me dallgë të forta dhe rryma të rrezikshme, duke rritur ndjeshëm rrezikun për larje dhe aktivitet në ujë.

Për të garantuar sigurinë e pushuesve, strukturat e Bashkisë Lezhë, në bashkëpunim me vrojtuesit e plazhit, janë vënë në gatishmëri të plotë për të mbikëqyrur situatën dhe për të marrë masa parandaluese.

Qytetarëve u bëhet thirrje që:

• Të respektojnë udhëzimet e vrojtuesve të plazhit
• Të shmangin hyrjen në det gjatë dallgëve të forta
• Të frekuentojnë plazhe të pajisura me shërbime sigurie

Gjithashtu, një apel i drejtpërdrejtë është bërë për operatorët turistikë dhe bizneset e bregdetit, që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi erërat e forta mund të shkaktojnë dëmtime në çadra, shezlongë apo pajisje të tjera plazhi, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.

Bashkia ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme si:
• Vendosja e sinjalistikës paralajmëruese në mënyrë të dukshme
• Ngitja e flamurit të kuq në rast rreziku të lartë
• Informimi i pushuesve për rreziqet nga dallgët dhe rrymat detare

Situata do të vijojë të monitorohet nga afër, ndërsa autoritetet kërkojnë bashkëpunim dhe ndërgjegjësim maksimal nga publiku për të shmangur çdo incident të mundshëm.

ME TE LEXUARAT