Policia “refuzon” protestën e PD-së, 1500 efektivë blindojnë Tiranën dhe institucionet para tubimit

Aktualitet

Policia “refuzon” protestën e PD-së, 1500 efektivë

Policia e Shtetit ka refuzuar garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës që do të mbahet në orën 18:00 nga Partia Demokratike.

Megjithatë, gazetarja Klodiana Lala raporton se, duke qenë se Policia ngarkohet nga ligji dhe Kushtetuta për të siguruar rendin për qytetarët, janë marrë masa.

1500 forca policie janë në gatishmëri dhe janë shpërndarë pranë godinave të rëndësisë së veçantë. Kjo pasi protestuesit, pasi të mblidhen para Kryeministrisë, pritet të marshojnë drejt institucioneve kryesore, duke përjashtuar Kuvendin.

Ndërkohë, në kuadër të masave të marra, është blinduar edhe Kryeministria, ndërsa është vendosur gardh metalik.

Forcat “Shqiponja” po pajisen me fikëse zjarri si masë paraprake ndaj asaj që pritet të ndodhë, duke pasur si pikë referimi protestat e mëparshme.

Njoftimi i Policisë:

Përfaqësues të subjektit politik “Partia Demokratike e Shqipërisë” kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi sot, në orën 18:00, para Kryeministrisë.

Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorimi i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.

Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.

Policia e Tiranës apelon që qytetarët, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë./Ballkan

ME TE LEXUARAT