Prokuroria çon në gjyq 20 zyrtarë, shpërdoruan detyrën në 7 tendera të ministrisë së Bujqësisë, dëmi 525 mln lekë

Aktualitet

Prokuroria çon në gjyq 20 zyrtarë, shpërdoruan

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 20 nëpunës publikë, të akuzuar për shpërdorim detyre në të paktën 7 procedura prokurimi që kanë shkaktuar dëm ndaj Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Hetimet per kete rast nisën pas kallëzimit të bërë nga ministria bazuar në raportet e auditit nga KLSH, i cili konstatoi shkelje të rënda në këto prokurime me vlerë mbi 525 milionë lekë pa TVSH.

Sipas prokurorise, te pandehur jane: Mimoza Kita, Erola Halili, Gavrosh Xhindoli, Imir Alla, Adra Gjingecaj, Lulzim Konçi, Elida Palluqi, Luan Hajno, Merita Petushi, Edi Fero,  Aldin Lika, Ermira Riznavolli,  Ismet Bici, Arjan Zeqiri, Alfred Gjonaj, Sotiraq Papa, Alketa Ikonomi, Alma Dhrako, Kristaq Nica dhe Admir Ago.

Tenderat janë zhvilluar kryesisht përmes negociatave pa shpallje paraprake, në kundërshtim me ligjin, dhe përfshinin furnizime si: produkte për mbrojtjen e bimëve, pajisje për shërbimin veterinar, blerje gjedhësh për kompensim fermerësh dhe instalim kamerash për hidrovoret.

Hetimet zbuluan se zyrtarët publikë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë manipuluar kriteret e prokurimeve duke dëmtuar interesat e shtetit dhe qytetarëve. Gjithashtu, u konstatuan veprime fiktive në testimin e tregut, ndërsa procedurat janë zhvilluar në mënyrë të parregullt dhe të paligjshme.

"Të pandehurit e mësipërm, në cilësinë e personave të ngarkuar me funksion publik, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për secilën procedurë tenderimi kanë vepruar në kundërshtim me ligjin ose ligjet që normojnë veprimtarinë përkatëse të personit që ushtron funksion publik konkret.

Duke përbërë në këtë mënyrë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë.", njofton prokuroria. 
Njoftimi i plotë i Prokurorisë: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq 20 persona, nëpunës publikë, të gjithë të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.2069, të vitit 2025, rezultoi se shtetasit M.K., E.H., G.Xh., I.A. A.Gj., L.K. E.P., L.H., M.P., E.F., A.L., E.R., I.B., A.Z., A.Gj., S.P., A.I., A.Dh., K.N., A.A. kanë kryer veprëm e mësipërme në dëm të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Hetimet nisën pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bazuar në raportet e auditit që Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu, ku për shtatë procedura prokurimi, referohet se janë evidentuar shkelje të rënda ligjore në prokurime të zhvilluara kryesisht me negociim pa shpallje paraprake dhe fond limit 525,000,000 lekë pa TVSH. 

Procedurat për të cilat u konstatuan shkelje kishin të bënin me prokurimet për “Shpenzime mbrojtje bimësh dhe luftimi i parazitëve në bujqësi”, për ‘Blerje pajisje për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta), “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit” si dhe për ‘Sistem i monitorimit me kamera për hidrovoret’.

Të pandehurit e mësipërm, në cilësinë e personave të ngarkuar me funksion publik, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për secilën procedurë tenderimi kanë vepruar në kundërshtim me ligjin ose ligjet që normojnë veprimtarinë përkatëse të personit që ushtron funksion publik konkret. Duke përbërë në këtë mënyrë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë. 

Hetimi i procedurave provoi se janë konsumuar elementet e veprës penale dhe se kanë kryer veprime që nuk janë të justifikuara në lidhje me mangësitë për përcaktimin e kritereve të mallrave që kërkohen, por mbi të gjitha krijohet bindja se testimi i tregut është kryer në mënyrë fiktive.

Pas njohjes me tërësinë e akteve të sipërcituara, vlerësohet se ekziston bindja e bazuar në prova, se nga ana e anëtarëve të njësisë së prokurimit, është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës, referuar llojit të procedurës së zgjedhur për prokurimet, krim i parashikuar përkatësisht nga neni 248-25 i Kodit Penal. 

ME TE LEXUARAT