Qindra myslimanë shtrojnë iftar dhe falin teravitë në zemër të New Yorkut

Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën në Times Square, në zemër të New York City, për të shtruar iftarin dhe për të falur namazin e teravive në një nga zonat më të frekuentuara në botë.
Ngjarja vjetore u organizua nga llogaria në rrjetet sociale Wayoflifesq, e cila këtë vit e realizoi aktivitetin për herë të pestë. Sipas organizatorëve, gjatë mbrëmjes u shpërndanë rreth 1,500 vakte iftari dhe 1,200 kopje të Kuranit në gjuhë të ndryshme, përfshirë anglisht, spanjisht dhe gjermanisht.
Tubimi tërhoqi vëmendjen e turistëve dhe banorëve vendas, shumë prej të cilëve ndaluan për të ndjekur dhe regjistruar momentet e faljes dhe të prishjes së agjërimit. Myslimanët u mblodhën në kryqëzimin e Broadway me 7th Avenue, një ndër pikat më të ngarkuara të Times Square.
Përfaqësuesi i organizatorëve, i njohur si “SQ”, theksoi se qëllimi i aktivitetit është të promovojë mirëkuptimin dhe dialogun ndërkulturor. “Islami shpesh portretizohet negativisht në mediat perëndimore. Ne duam t’u shpjegojmë njerëzve Kuranin, t’i edukojmë dhe të informojmë botën rreth Islamit”, u shpreh ai, duke ftuar kalimtarët t’i bashkoheshin iftarit.
Një nga anëtarët e ekipit organizues, Harman, deklaroi se interesimi i publikut ishte i madh. “Ky është New Yorku, gjithmonë ndodh diçka këtu. Sot shpërndamë 1,200 kopje të Kuranit dhe njerëzit i morën me interes, në gjuhë të ndryshme”, tha ai.
Pas iftarit, besimtarët falën namazin e akshamit dhe më pas teravitë nën dritat e Times Square, pavarësisht motit me shi dhe temperaturave të ulëta. Policia e New Yorkut kishte marrë masa sigurie për mbarëvajtjen e aktivitetit.
Gjatë aktivitetit, dy persona shpallën pranimin e Islamit duke recituar Shehadetin para të pranishmëve./NOA


