Rama uron besimtarët krishterë: Për shumë vjet Pashkët!
Politika uron besimtarët e krishterë që sot festojnë Pashkët. Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjete sociale foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë, ndërsa ka shkruar: Për shumë vjet Pashkët.
Një ditë më parë, edhe presidenti Bajram Begaj përcolli një mesazh urimi, teksa shkruante se “Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat.”
Kreu i PL, Ilir Meta uroi gjithashtu nga qelia, duke thënë se Pashka nuk është vetëm një festë, por dëshmi e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të së mirës mbi të keqen. Këtë vit, besimtarët katolikë dhe ortodoksë festojnë Pashkët në të njëjtën ditë. Pashkët konsiderohen si festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, simbol i fitores mbi vdekjen, rilindjes dhe shpresës. Megjithatë, jo gjithmonë festohet në të njëjtën datë nga të gjithë të krishterët. Arsyeja qëndron tek kalendarët e ndryshëm që përdorin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse.
Katolikët ndjekin kalendarin Gregorian, të vendosur në vitin 1582 nga Papa Gregori XIII për të korrigjuar pasaktësitë e kalendarit Julian. Kisha Ortodokse vijon të përdorë kalendarin Julian, i cili është 13 ditë prapa atij Gregorian.
Megjithëse të dy traditat mbështeten në të njëjtin parim për llogaritjen e datës së Pashkëve, të dielën pas Hënës së plotë që vjen pas ekuinoksit të pranverës, dallimet në kalendarë dhe në mënyrën e përcaktimit të Hënës kishtare bëjnë që datat të mos përputhen.
Në vitin 2025, megjithatë, përputhja astronomike dhe kalendarike ka ndodhur natyrshëm: ekuinoksi i pranverës bie më 20 mars, Hëna e plotë pas tij më 13 prill, dhe e diela që pason është 20 prilli një datë që përkon në të dy sistemet e llogaritjes.