Rrezikoi pushuesit me skaf në Borsh, gjobitet pronari
Shkeli perimetrin e sigurisë ujore, duke lundruar me mjet lundrues dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin në ????Borsh. Bllokohet nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, mjeti lundrues tip skaf.
Ndëshkohet me masë administrative 100 000 lekë, drejtuesi i mjetit lundrues.
Shërbimet e Policisë Kufitare Himarë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, krahas patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e ????Borshit, pas denoncimit në rrjetet sociale me anë të pamjeve filmike, se një mjet lundrues kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Shërbimet e Policisë Kufitare pas lokalizimit dhe bllokimit të mjetit lundrues që shfaqej në pamjet e publikuara, kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij mjeti, shtetasin A. Ll., me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të nenit 24/1/c “Zhvillimi i aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara”, të ligjit nr. 43/2020.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.
Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.