Tetë orë seancë, gjykata e Fierit lë në fuqi arrestimet e zyrtarëve të "Bankers Petroleum"

Aktualitet

Tetë orë seancë, gjykata e Fierit lë në fuqi arrestimet

Pas 8 orësh ka perfunduar seanca maratonë në Gjykatën e Fierit për 9 personat e arrestuar për çështjen e Bankers Petroleum.

Gjykata ka lënë në fuqi të gjitha masat siç i kishte kërkuar Prokuroria e Fierit.

Mesohet se në sallën e gjyqit të pandehurit janë shprehur se janë të pafajshëm duke mos pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga prokuroria e Fierit për evazion fiskal apo shpërdorim detyre.

Mes personave të ndaluar janë dhe drejtori aktual i Bankers Petroleum, Hong Ping Xiao dhe ish-administratori Leonidha Çobo, të cilët mbërritën në gjykatë me pranga në duar, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Prokuroria e Fierit akuzon kompaninë dhe drejtuesit e saj për disa vepra penale, përfshirë:

“Krijim të skemave mashtruese lidhur me TVSH”

“Fshehje të të ardhurave”

“Pastrim të produkteve të veprës penale”

“Shpërdorim detyre”

“Moskryerje të detyrave nga organet tatimore”.

Hetimet e deritanishme zbulojnë se në periudhën 2004-2024, “Bankers Petroleum” ka deklaruar humbje të njëpasnjëshme, duke shmangur pagesën e taksave, ndonëse ka realizuar eksporte dhe shitje brenda vendit me një vlerë që kalon 532 miliardë lekë.

Sipas prokurorisë akuzës, kompania ka raportuar shpenzime të rreme që tejkalojnë të ardhurat, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.

Në kuadër të operacionit janë kryer kontrolle në ambientet e kompanisë dhe në disa banesa private, ku janë sekuestruar dokumente dhe prova që konsiderohen kyçe për çështjen.

Hetimet shtrihen edhe ndaj disa individëve dhe subjekteve të tjera të dyshuara për përfshirje në skemat e mashtrimit dhe pastrimit të parave.

ME TE LEXUARAT