Gjoba fshehurazi, kamatë dhe penalizime, kamerat në akset rrugore kthehen në kurth për qytetarët

Aktualitet

Gjoba fshehurazi, kamatë dhe penalizime, kamerat në akset rrugore

Mbikqyrja e autostradave kryesorë në Shqipëri me kamera vëzhgimi po kthehet në një kurth për qytetarët të cilët po gjobiten pa u vendosur në dijeni dhe pa u njoftuar. 

Tre muaj pas vendosjes së kamerave në autostradat kryesore të vendit, shqetësimet e qytetarëve janë rritur pasi ata penalizohen pa u njoftuar, cka krijon premisa që gjoba të mos paguhet dhe drejtuesit e mjeteve jo vetëm të jenë debitorë për shlyerjen e saj por të paguajnë edhe kamatën që nis nga dita e 15.

Rasti i denoncimit të mbërritur në redaksi, është ai i një qytetari të gjobitur në Unazën e re të Tiranës, në datën 18 qershor 2025, në ora 06.22 të mëngjesit.

Gjoba fshehurazi, kamatë dhe penalizime, kamerat në akset rrugore

Plot 17 ditë më vonë, në datën 5 korrik 2025, ai rastësisht hyri në platformën e-albania për një arësye tjetër dhe u vu në dijeni të gjobës së vendosur nga policia rrugore. 

Për shkak të mos shlyerjes në afat, gjoba kishte nisur të llogariste edhe kamatën me 120 lekë të reja për vetëm dy ditë!

Masa administrative e vendosur nga polici rrugor Artan Malasi, konsiderohet abuzive nga qytetari i cili thekson se është ndëshkuar me 2000 lekë, për tejkalim të shpejtësisë në Unazën Veriore të Tiranës, por fleta e gjobës në e-albania nuk ka asnjë shpjegim detajues, sa ka qenë shpejtësia me të cilën ai po lëvizte në momentin e shkeljes, dhe cila është diferenca e kësaj shpejtësie me atë të lejuarën në aksin ku është vendosur gjoba. 

Mos dhënia e detajeve të tilla në një fletë gjobe ku policia vendos dorën mbi pasurinë e qytetarit është mungesë transparence dhe profesionalizmi, por edhe padrejtësi, pasi përsa kohë qytetari penalizohet financiarisht, masa duhet të jetë e detajuar me fakte dhe prova për të mos lënë vend për abuzime de hamendësime.  

Një tjetër abuzim sipas qytetarit është fakti se mos-njoftimi i tij për gjobën, e cila i është vendosur pa u ndaluar fare nga efektivi i policisë Artan Malasi, i ka hequr qytetarit të drejtën për të kryer pagesën e saj brenda afatit 5-ditor, cka sipas vetë ligjit në fuqi i krijon mundësinë kundravajtësit që të përfitojë zbritjen e 50 për qind të vlerës së gjobës. 

Duke qenë se nuk ishte në dijeni të penalitetit, qytetari ka vazhduar të lëvizë cdo ditë, duke qenë i rrezikuar edhe për ndalim nga patrullat e policisë dhe penalizim për gjobën e pa shlyer tashmë prej 17 ditësh.

Një tjetër shkelje është fakti se përvec hamendësimeve, askush nuk e di cilat janë akset e monitoruara me kamera, në një kohë kur Greqia apo edhe Italia, i njoftojnë drejtuesit e mjeteve me tabela e sinjale të dukshme se po hyjnë në rrugë të monitoruara. 

Italia madje, në rrugët ku ka fotografim të kundravajtjeve, e përsërit lajmërimin për qytetarët disa herë duke vendosur sinjalizime me tabela të dukshme 5 kilometër para cdo stacioni fotografimi. 

Qartësisht kjo praktikë, tregon se vendet fqinje të BE-së kanë si synim ti parandalojnë kundravajtjet dhe jo të penalizojnë qytetarët sic ndodh në Shqipëri, pasi asnjë prej akseve rrugore të monitoruara me kamera, nuk ka njoftime dhe sinjalistikë që tu bëjë me dije qytetarëve një fakt të tillë. 

Një tjetër shkelje në këto raste është edhe fakti se drejtuesit të mjetit, duke mos u njoftuar në kohë për gjovën, i hiqet edhe mundësia dhe e drejta për ta apeluar atë tek organet institucionale.    

ME TE LEXUARAT