I “dhuruan” mandatin, Zegjine Çaushi “thyen heshtjen”: Fisnike e model për mua! Çfarë do të bëj në Parlament…

Politikë

I “dhuruan” mandatin, Zegjine Çaushi “thyen

Kandidatja socialiste e cila u bë e famshme gjatë fushatës elektorale për videomesazhet ku shënjestronte rivalin e saj demokrat, Gazment Bardhi, ka bërë reagimin e parë pasi rimori mandatin e deputetes.

Maldrita Bardho u zgjodh deputete nga rinumërimi në Qarkun e Fierit, duke fituar mandatin me 10 vota më shumë se Zegjine Çaushi, por disa orë më pas ajo befasoi me vendimin e saj për të mos shkuar në Kuvend.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Çaushi e cilëson Bardhon si një grua fisnike dhe model për çdo politikan të ri.

“E ndiej të nevojshme të falenderoj kolegen time, Maldrita Bardhon për vendimin e guximshëm dhe befasues, që më bën edhe më shumë të përgjegjshme për detyrën time në Kuvendin e Shqipërisë. Maldrita!

Je fisnike, model per mua e çdo politikan të ri! Unë, jam një prej mijëra vajzave dhe djemve të lindur e rritur larg qendrave urbane, por me të njëjtën dëshire e vlerë si çdo i ri që ka lindur në qytete, madje ndoshta me më shumë dëshirë për të punuar e kontribuar, me më shumë vullnet për sakrificë, se ky është një nga tiparet që na karakterizon.

Jam anatemuar në banaqet e studiove televizive, si dhe nga gojët e shqyera të politikanëve humbës, që ulërasin emrin tim e të të rinjve të tjerë, për të mbuluar zullumet e tyre, por kjo as me tremb e as me dekurajon për te vazhduar rrugetimin që kam nisur”.

Vetëm 26 vjeçe por do të zërë vend në Kuvendin e ri në shtator, Zegjine Çaushi ndalet edhe te sfidat personale, paragjykimet mediatike dhe sulmet politike, duke theksuar vendosmërinë për të kontribuar në jetën parlamentare.

“Se kush jam dhe çfarë do bëj në parlamentin shqiptar, këtë t’ja lëmë kohës, se falë Zotit, edhe për shkak të moshës unë kam boll kohë përpara, boll kohë për të mësuar, punuar, gabuar, ndrequr e mbi të gjitha për t’u frymëzuar. Për t’u frymëzuar nga njerëz që më kane dhënë dorën e kanë besuar tek unë, si veçanërisht Edi Rama”.

Në fund, ajo nuk ka harruar edhe kreun e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili e akuzoi socialisten se kishte tjetërsuar votat, pasi asaj iu zbritën 48 të tilla nga rinumërimi. Zegjine Çaushi e akuzon Bardhin për dështim dhe sjellje destruktive brenda opozitës.

“Gazo, je politikani më i dështuar, hileqar e vulgar deri aty që asnjë burrë nuk bëhet dot, por ti po. Politikani i vetëm që të parët që nuk të honepsin dot, janë kolegët e t’u e më pas të gjithë demokratët. Ju ke ngelur në derë e s’po dinë se si të të heqin qafe se i shkaterrove partinë dhe i ke nëpërkembur dinjitetin. Sa për vjedhje votash, të kam gati një analizë plot me fakte”.

ME TE LEXUARAT