Pas vapës, pëmbytje në veri të Italisë
Reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta kanë përfshirë që nga mëngjesi i sotëm rajonin e Lombardisë në Itali, duke shkaktuar probleme të shumta në qytetet e Milanos dhe Komos.
Si pasojë e kushteve ekstreme atmosferike, 13 fluturime janë devijuar drejt aeroportit Orio al Serio, në Bergamo.
Autoritetet italiane kanë lëshuar alarm portokalli për stuhi të forta, ndërsa liqeni i Komos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në zonat përreth.
Gjendja është bërë kritike edhe në pellgun e Sevesos, i cili është aktivizuar për të menaxhuar prurjet e shumta.
Në qytetin Lentate, dy familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën ndërsa qytetarët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet e mëtejshme.