Dështon për herë të 42 konstituimi i Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës as të shtunën mbrëma nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Republikës.
Në seancën, që pasoi pas asaj të mesditës që u ndërpreh për alarm bombe, u vazhdua e njëjta praktikë, duke mos u themeluar komisioni për votimin e fshehtë. Seanca dështoi me akuza të njëjta nga dy palët, pavarësisht aktgjykimin e gjykatës Kushtetuese që i detyron ligjvënësit të formojnë Legjislativin deri më 26 korrik.
Kjo është hera e 42-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.
Në këtë seancë të pranishëm ishin vetëm 74 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari edhe kësaj here i ftoi partitë opozitare që të propozojnë kandidatët e tyre për komision, por nuk pati propozime, sikurse herëve të tjera. Opozita këtë votim e konsideron imponim jodemokratik, ndera mazhoranca akuzon opozitën për bllokim Kuvendi.