Trafiku i rrënduar pas bllokimit të rrugës! Shoferët futen në akset rurale për të dalë në Përrenjas

Në segmentin problematik të njohur si “Arrat e Gurrës”, në aksin kombëtar Librazhd-Përrenjas, situata vijon të mbetet kritike.
Qarkullimi është pezulluar për një afat të pacaktuar pas dëmtimit të rëndë të trupit të rrugës.
Qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në të dy anët e segmentit. Mes radhëve të gjata të automjeteve, shumë shoferë kanë vendosur të mos presin më, por të gjejnë vetë alternativa për të vijuar udhëtimin.
Zgjidhja e improvizuar ka qenë devijimi nga qyteti i Librazhd, duke ndjekur rrugën rurale përmes fshatit Spathar, më tej përgjatë itinerarit rruga Egnatia – fshati Dardhë, për të zbritur sërish në segmentin kombëtar Hotolisht-Përrenjas.
Megjithatë, kjo rrugë alternative, ndonëse po shërben si “valvul shkarkimi” për trafikun e rënduar, paraqet vështirësi të shumta. Bëhet fjalë për një aks rural, me gjerësi të kufizuar dhe infrastrukturë jo të përshtatur për fluks të lartë mjetesh, çka ka sjellë kolona të reja dhe lëvizje të ngadaltë.
Banorë dhe drejtues mjetesh shprehen se situata kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje të qëndrueshme, pasi ky aks është jetik për lidhjen mes zonave të lindjes dhe pjesës qendrore të vendit.
Deri në një njoftim të dytë nga autoritetet, lëvizja mbetet e kushtëzuar dhe e pasigurt, ndërsa drejtuesit këshillohen të shmangin segmentin e bllokuar dhe të informohen paraprakisht për gjendjen e rrugëve./Shqip


