Turbulenca e fortë e motit vjen nga Italia në Shqipëri të shtunën
Një turbulencë e fuqishme atmosferike nga Italia dhe veriperëndimi i Evropës do të përfshijë Republikën e Shqipërisë të Shtunën dhe po ashtu reshje dhe rrebeshe shiu priten edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore.
Tani për tani reshje lokalisht shumë të fuqishme ka që nga veriu u Italisë, pastaj në pjesë të Sllovenisë dhe deri në mbrëmje pritet të përfshijnë shumë pjesë të Kroacisë duke përfshirë edhe viset bregdetare ku priten stuhitë më të fuqishme.
Kjo masë e fuqishme ajrore destabilizuese do të arrijë direkt në Shqipërisë me rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Vende-vende do të ketë gjasa për rrebeshe aq intensive sa që mund të ketë problematika me përmbytje të shpejta. Nuk përjashtohet mundësia që në disa zona të ketë përmbytje të përmasave pak më të mëdha.
Stuhi dhe rrebeshe mjaft intensive priten edhe në Mal të Zi sidomos në jug të vendit, ndërsa vranësira të dendura me reshje e rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë të shtunën pasdite do të përfshijnë edhe Republikën e Kosovës dhe po ashtu pak më vonë edhe Maqedoninë e Veriut. Vende-vende mund të ketë rrebeshe mjaft intensive sidomos në rajonin e Dukagjinit duke mos përjashtuar edhe ndonjë rajon tjetër.
Temperaturat do të shënojnë ulje në të gjitha viset dhe kjo shënon përfundimin e valës së nxehtësisë së këtyre ditëve.
Fronti i fuqishëm i ftohtë ajror pritet që në kombinim me temperaturat e larta të shkaktojë turbulenca të fuqishme atmosferike sidomos në disa vise të Shqipërisë.
Rrebeshet e dendura ka mundësi që të vijnë në dy apo tri valë njëra pas tjetrës.
Reshje lokale priten edhe të Dielën me temperatura më të freskëta, ndërsa do të kemi edhe intervale kohore me diell.
Në fillim të javës së re pritet stabilizim dhe përmirësim i kushteve të motit dhe rritje e temperaturave edhe pse ndoshta edhe e Hëna mund të jetë jo aq e nxehtë./MeteoBallkan
“Bombat e shiut” nesër në Shqipëri! Meteorologu grek paralajmëron për stuhi të forta, ja zonat që rrezikojnë
Sinpotikani i njohur grek Sakis Arnaoutoglou paralajmëron për fenomene të ekstreme të motit në orët e ardhshme në disa zona të Shqipërisë perëndimore dhe veriperëndimore.
Arnaoutoglou që tashmë mban funksionin e eurodeputetit të socialistëve grekë të PASOK-ut, i cili shpeshherë ka folur edhe për Top Channel pasi ka mijëra ndjekës nga Shqipëria dhe jo vetëm, në edicionin e tij të përditshëm në kanalin Youtube thekson dhe lajmëron banorët e zonave në fjalë në Shqipëri, por edhe turistët e shumtë, se priten sasi të mëdha shiu gjatë së shtunës, stuhi të forta me vetëtima dhe breshër të fortë, ashtu siç duket dhe në hartën që publikon.
“Nga mesdita e së shtunës dhe më pas shikoni si bëhen të errëta këto zona në Shqipëri prandaj ju që jeni ose do të shkoni në Shqipëri duhet të dini se fenomenet kohore atje do të kenë edhe forcë dhe kohëzgjatje dhe ndoshta do të ketë përmbytje të mëdha. Kujdes të gjithë ju që ndodheni atje”, shprehet ai.
Gjithashtu këto fenomene do të shfaqen edhe në veri të detit Jon edhe në zonat perëndimore të Greqisë në kufij me Shqipërinë, nga Janina e deri në Follorinë. Sinoptikani grek thekson se këto fenomene do te zgjasin nga mesdita e së shtunës do të vazhdojnë gjatë pasdites, në orët e vona të natës , deri të dielën në mesditë. Sipas tij duhet pasur kujdes tek zonat e ulta më të prekshme për përmbytje nga ora dy pas mesdite deri në mbrëmje.
Korrespondenti i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku, raporton se fenomenet do të jenë lokale dhe nuk përjashtohen reshje shiu në Tiranë ose përreth saj, në Durrës, Shëngjin e Shkodër.
Si gjithnjë kujdesi më i mirë gjatë fenomeneve kohore është evitimi i qarkullimit gjatë stuhive dhe kalimi me makinë në rrugët me risk për përmbytje.