'Shtëpi bari’ poshtë kotecit të pulave në Maliq, arrestohet një person, shpallet në kërkim një tjetër

Aktualitet

'Shtëpi bari’ poshtë kotecit të pulave në Maliq,

Një ambient i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e lëndëve narkotike, i fshehur poshtë një koteci shpendësh në fshatin Vreshtas të Maliqit, është zbuluar nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Operacioni çoi në arrestimin e shtetasit me iniciale K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.

Aksioni u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore e Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas hetimeve të realizuara me metoda proaktive.

Gjatë kontrolleve, autoritetet zbuluan një hapësirë të ndërtuar në mënyrë të fshehtë nën një kotec shpendësh, e maskuar posaçërisht për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike Cannabis sativa.

Hyrja në ambient realizohej përmes një strukture të improvizuar që të çonte në një dhomë nëntokësore.

Sipas prokurorisë, laboratori ishte organizuar në mënyrë profesionale, me mure të izoluara termikisht dhe i pajisur me sisteme ventilimi, ndriçimi dhe ngrohjeje.

Brenda tij u gjetën llamba speciale, pajisje për kontrollin e temperaturës dhe lagështisë, tubacione për qarkullimin e ajrit dhe sistem ujitjeje për bimët.

Hetuesit zbuluan gjithashtu zona të posaçme për tharjen e cannabis-it, ku bimët ishin varur në struktura të improvizuara, si dhe dhjetëra vazo me dhe dhe mbetje kërcellesh të prera.

Nga operacioni u sekuestruan rreth 5.4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis sativa në proces tharjeje dhe e paketuar në doza të vogla, një sasi e vogël e dyshuar Kokainë, peshore elektronike, pajisje ventilimi dhe ndriçimi, si dhe një armë në formë pistolete me bombol gazi të kompresuar.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se ambienti furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjes direkte me rrjetin shpërndarës.

 

 

ME TE LEXUARAT