Ambasadat amerikane nën sulm: Uashingtoni urdhëron rishikimin e procedurave të sigurisë

Bota

Ambasadat amerikane nën sulm: Uashingtoni urdhëron rishikimin e

Lufta midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit nuk zhvillohet vetëm në qiellin e Lindjes së Mesme apo në korridoret e diplomacisë ndërkombëtare. Ka një front tjetër, më pak i dukshëm por gjithnjë e më qendror: siguria e ambasadave. Pikërisht këtu, në javët e fundit, po ndodh një “kaos sigurie”. Sipas dokumenteve të brendshme të cituara nga Washington Post, Departamenti i Shtetit ka urdhëruar të gjitha misionet diplomatike në botë të rishikojnë «menjëherë» masat e tyre të sigurisë, një shenjë e qartë se kërcënimi nuk është më lokal, por global.

Sulmet
Nuk bëhet fjalë për një alarm paralajmërues. Sulmet janë tashmë në zhvillim. Në Bagdad, një nga simbolet e pranisë amerikane jashtë vendit, ambasada është goditur nga raketat dhe dronët në atë që përshkruhet si një nga sulmet më intensive që nga fillimi i konfliktit. Në Arabinë Saudite, një mision diplomatik amerikan është dëmtuar deri në atë pikë sa rezulton pjesërisht «i papërdorshëm» pas një sulmi me dronë. Dhe nuk është e gjitha: sipas raporteve të brendshme, që nga fillimi i luftës janë regjistruar qindra sulme ndaj strukturave amerikane, me kërcënime të cilat janë cilësuar «të vazhdueshme» ndaj personelit dhe qytetarëve amerikanë.

Zgjerimi i konfliktit
Pika kyçe është se lufta po përhapet përtej Lindjes së Mesme. Incidentet e sigurisë janë regjistruar edhe në vende perëndimore, me të shtënat pranë zyrave konsullore dhe shpërthime pranë ambasadave. Kjo ndryshon radikalisht natyrën e rrezikut: jo më vetëm teatri tradicional i luftës, por një rrjet global i objektivave të pambrojtura. Ambasadat, për përkufizim, janë avanposte simbolike. Goditja e tyre do të thotë të goditet një shtet direkt pa hyrë në një luftë të hapur në territorin e tij.

Përgjigjja
Përgjigjja amerikane ka qenë e menjëhershme, por tregon gjithashtu një tension të brendshëm në sistem. Të gjitha ambasadat janë ftuar të krijojnë komitete emergjente dhe të rishikojnë protokollet, evakuimet dhe komunikimet me qytetarët. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni ka nisur tashmë të reduktojë personelin jo thelbësor në disa misione në Lindjen e Mesme, një shenjë se rreziku konsiderohet real dhe në rritje. Ky është edhe argumenti i kritikëve që akuzojnë Departamentin e Shtetit për mungesë përgatitjeje ndaj eskalimit.

Më shqetësuesi është ndoshta një tjetër fakt: lufta me Iranin po transformon çdo ambasadë amerikane në një objektiv të mundshëm, kudo në botë. Nuk është më vetëm çështje e gjeopolitikës rajonale, por e sigurisë globale. Ambasadat, të krijuara për të ndërtuar marrëdhënie, po bëhen linja fronti. Dhe në këtë skenar të ri, diplomacia operon nën rrethim./Lajmi i Fundit

ME TE LEXUARAT