Kremlini zbardh bisedën, çfarë u diskutua mes Trump dhe Putin

Bota

Kremlini zbardh bisedën, çfarë u diskutua mes Trump dhe Putin

Presidenti i SHBA Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun rus Vladimir Putin.

Në fokus të diskutimit mes dy liderëve botërorë ka qenë konflikti në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe situatën në tregjet globale të energjisë. Telefonata ishte e para mes dy presidentëve për këtë vit.

Sipas Kremlinit, gjatë bisedës Putin paraqiti ide për një zgjidhje të shpejtë politike dhe diplomatike të konfliktit në Iran, ndërsa të dy liderët folën edhe për situatën ushtarake në Ukrainë dhe ndikimin e krizës së energjisë në ekonominë botërore.

Trump deklaroi në një konferencë për shtyp në Florida se telefonata me Putinin ishte “shumë e mirë”.

“Po flisnim për Ukrainën, e cila është thjesht një luftë e pafund. Dhe shiko, ka një urrejtje të madhe midis Presidentit Putin dhe Presidentit Zelenskiy. Nuk duket se mund ta zgjidhin dot. Por mendoj se ishte një bisedë pozitive mbi këtë çështje. Dhe natyrisht folëm për Lindjen e Mesme dhe ai dëshiron të ndihmojë. Unë i thashë se ai mund të ndihmojë më shumë duke e përfunduar luftën Ukrainë-Rusi. Kjo do të ishte më e dobishme. Por patëm një bisedë shumë të mirë dhe ai dëshiron të jetë shumë konstruktiv”.

Biseda u zhvillua vetëm disa orë pasi Putin paralajmëroi se konflikti SHBA-Izrael me Iranin ka shkaktuar një krizë globale energjetike. Sipas tij, tensionet dhe kufizimet në transport përmes Ngushticës së Hormuzit mund të ndalojnë furnizimin me naftë dhe të dëmtojnë ekonominë botërore.

Ndërkohë, administrata amerikane po shqyrton mundësinë e lehtësimit të disa sanksioneve ndaj naftës ruse për të rritur furnizimin global, pasi lufta në Lindjen e Mesme ka shkaktuar rritje të madhe të çmimeve të energjisë.

Sipas burimeve të njohura me planin, SHBA-të mund të lejojnë disa vende si India të blejnë naftë ruse pa u përballur me ndëshkime amerikane, si pjesë e përpjekjeve për stabilizimin e tregjeve të energjisë.

Kremlini e përshkroi bisedën mes dy liderëve si “shumë substanciale” dhe tha se ajo mund të ketë rëndësi praktike për bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve.

Në të njëjtën kohë, Rusia deklaroi se është e gatshme të rifillojë bashkëpunimin afatgjatë energjetik me vendet evropiane nëse ato janë të interesuara për një marrëdhënie të qëndrueshme.

ME TE LEXUARAT