Përmbytjet katastrofike në Teksas! Shkon në 51 numri i të vdekurve, vijojnë kërkimet për 27 vajza të zhdukura
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas është rritur në 51. Numrin e viktimave e njoftuan autoritetet të shtunën në mbrëmje.
Ekipet e shpëtimit po kontrollojnë zonën duke kërkuar për persona të zhdukur, përfshirë 27 vajza që po ndiqnin një kamp veror në brigjet e lumit Guadalupe. Dalton Rice, kreu i Këshillit të Qytetit të Kerrville, theksoi se nuk ishte në gjendje të përditësonte numrin e personave të zhdukur në këtë kohë.
"Ne dimë për 27... Nuk do të publikojmë më shumë shifra sepse thjesht nuk i dimë", u tha ai gazetarëve.
"Ne do të kërkojmë pa pushim për çdo viktimë të kësaj përmbytjeje. Nuk do të ndalemi as sot as nesër, do të ndalemi kur puna jonë të ketë mbaruar", siguroi më parë Guvernatori i Teksasit Greg Abbott në një konferencë për shtyp, në prani të Sekretares së Sigurisë Kombëtare Kristi Noem.
Rreth 500 shpëtimtarë me ndihmën e 14 helikopterëve janë mobilizuar, ndërsa Garda Kombëtare e Teksasit dhe Roja Bregdetare kanë dërguar përforcime. Në kamping, niveli i ujit kishte rënë të shtunën e kaluar, duke zbuluar shkallën e shkatërrimit, me dhjetëra automjete të palëvizshme dhe pemë të shkulura.
Përmbytjet e menjëhershme ndodhën në ditën e festimit të "Ditës së Pavarësisë", festës kombëtare në Shtetet e Bashkuara, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm në Teksasin qendror. Paralajmërimet për përmbytje të rrezikshme mbeten në fuqi për zonën më të gjerë. Sipas autoriteteve, lumi Guadalupe u rrit me gati 8 metra të premten në më pak se një orë, gjatë së cilës ranë 300 milimetra shi, një e treta e reshjeve mesatare vjetore në qark.