Si në filma, publikohen pamjet e grabitjes në Luvër, gjithçka ndodhi për 7 minuta

Bota

Si në filma, publikohen pamjet e grabitjes në Luvër,

Një grabitje spektakolare ka tronditur Muzeun e Luvrit në Paris, ku hajdutë të maskuar arritën të marrin bizhuteri me vlerë të paçmuar nga koleksioni i Napoleonit dhe i perandoreshës Eugenia. Ngjarja ndodhi në Sallën e Apolonit, një nga hapësirat më të njohura të muzeut, ku ekspozohen thesaret perandorake të Francës.

Sipas gazetës Le Parisien, në grabitje morën pjesë katër persona: dy të veshur me jelekë të verdhë, që hiqeshin si punëtorë ndërtimi, dhe dy të tjerë në skuterë. Ata përdorën një mjet ngritës për t’u ngjitur direkt në katin e parë të ndërtesës, nga ana e lumit Sena, ku po kryheshin punime restaurimi.

Në video të publikuara nga BFMTV shihet njëri prej tyre, me kapuç dhe jelek të verdhë, teksa përdor një mjet prerës për të çarë xhamin e një vitrine. Hajdutët thyen dy vitrina, një me bizhuteritë e Napoleonit dhe tjetrën me ato të sundimtarëve francezë, duke përdorur një prerëse metalike dhe më pas morën bizhutë e çmuara.

Pas grabitjes, ata u larguan me skuterë, ndërsa policia gjeti në vendin e ngjarjes dy prerëse, një bidon me benzinë, doreza, radio komunikimi dhe një jelek pune. Në rrugë u gjet gjithashtu kurora e perandoreshës Eugenia, e dëmtuar pjesërisht.

Sipas të dhënave të Luvrit, kurora përmban 1.354 diamante dhe 56 smeralde, dhe është një nga simbolet më të rëndësishme të epokës së Napoleonit III. Hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë./a2 cnn

ME TE LEXUARAT