Ilir Meta kërkon lirinë, shtyhet seanca në GJKKO! Avokati: Kërkojmë gjyqtarin Çela. Bani shpalli moskompetencë
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së Ilir Metës për lirimin nga paraburgimi.
Avokati Kujtim Cakrani kërkoi që kërkesa të mos shqyrtohej nga gjyqtari Erion Bani, por nga gjyqtari Erion Çela, i cili është edhe gjyqtari i hetimit paraprak.
A2 CNN mëson se gjyqtari Erion Bani shpalli moskompetencë për të dhënë vendim dhe sipas avokatit, mungonin edhe 3 prokurorët: Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së Metës do të vijojë javën e ardhshme, pasi gjyqtari Erion Çela të kthehet nga leja.
Pas përfundimit të seancës, avokati Cakrani deklaroi:
“Ne duam të zhvillojmë procesin të rregullt, me gjyqtarin që ka ndjekur hetimet, pse jo edhe me prokurorët që kanë hetuar këtë çështje. Jemi në pritje që javën tjetër, kur do kthehet nga pushimet z. Çela, do zhvillojmë seancën siç e parashikon ligji procedural. Z. Meta do të lirohet se nuk ka më asnjë arsye pse ta mbajnë në paraburgim”, deklaroi avokati.