SPAK zhvillon operacion në disa qytete/ Lëshon 11 urdhëra arresti, dyshime për trafik ndërkombëtar droge
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kryer mëngjesin e sotëm një operacion në disa qytete, duke përfshirë Elbasanin, Tiranën dhe Durrësin.
Sipas prokurorit Vladimir Mara, gjatë aksionit janë lëshuar 11 masa sigurie nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për persona të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge.
Emrat e tyre u zbuluan në aplikacionin Sky ECC, i cili u përdor si bazë për hetime. Katër prej të dyshuarve janë të arrestuar për dosje të tjera dhe ndodhen në burg.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan tre persona të tjerë për të cilët u lëshuan masat e sigurisë, ndërsa katër të tjerë janë ende në kërkim nga policia.
Operacioni vijon dhe po punohet për kapjen e të gjithë të përfshirëve në këtë rrjet.