OpenAI prezanton GPT-5: Inteligjenca Artificiale që përmirëson gabimet dhe sjell këto risi
OpenAI zyrtarisht ka prezantuar modelin e ri të inteligjencës artificiale, GPT-5, duke e cilësuar si më të zgjuarin, më të shpejtin dhe më të dobishmin deri tani.
Sam Altman, themeluesi dhe CEO i OpenAI, e përshkroi GPT-5 si një hap të madh historik, me aftësi të nivelit të doktoraturës në fusha si programimi dhe shkrimi. “Të kesh diçka si GPT-5 do të ishte e paimagjinueshme në çdo epokë tjetër të historisë njerëzore,” tha ai.
Ky version i ri sjell përmirësime të mëdha në aftësitë logjike dhe arsyetuese, përgjigjet janë më të sakta dhe komunikimi duket më njerëzor. GPT-5 është gjithashtu më pak i prirur ndaj “halucinacioneve” — krijimit të informacionit të pavërtetë.
Altman e përshkroi evolucionin kështu: “GPT-3 ishte si të flisje me një nxënës gjimnazi, GPT-4 si me një student universiteti, ndërsa GPT-5 ndjehet si të bisedosh me një ekspert të vërtetë në çdo fushë.”
Lançimi vjen në mes të një konkurrencë të ashpër në industrinë e AI-së. Elon Musk dhe chatbot-i i tij Grok pretendojnë të jenë “më mirë në gjithçka”, ndërsa Anthropic promovon versionin e vet Claude. Pak para prezantimit të GPT-5, Anthropic i revokoi OpenAI-t aksesin në API-në e saj, duke ngritur akuza për shkelje të kushteve të përdorimit, që OpenAI i mohoi duke thënë se praktikat janë standarde në industri.
Ekspertët e etikës paralajmërojnë për rrezikun e “inflacionit të marketingut” dhe nevojën për rregulla më të forta, ndërsa industria kreative shpreh shqetësime për mbrojtjen e të drejtave të autorit.
Për të përmirësuar përgjegjshmërinë emocionale të chatbot-it, OpenAI ka ndryshuar mënyrën e reagimit ndaj pyetjeve sensitive, duke shmangur përgjigjet e prera dhe duke ofruar ndihmë për reflektim.
Altman pranon se ndërveprimet mes njerëzve dhe AI-së po bëhen më personale dhe paralajmëron për nevojën e rregullave të reja shoqërore.
GPT-5 është tashmë në dispozicion për përdoruesit, duke sinjalizuar një mundësi për më shumë akses falas, ndryshe nga modelet plotësisht me pagesë të së kaluarës.
Në ditët në vijim do të shihet nëse GPT-5 do të jetë revolucion apo një evolucion i moderuar në fushën e inteligjencës artificiale.