Jetonte në vilë luksoze dhe me eskortë, zbardhen detaje nga arrestimi i Juxhin Drazhit në Spanjë

Aktualitet

Jetonte në vilë luksoze dhe me eskortë, zbardhen detaje nga

Policia e Shtetit ka dhënë informacion lidhur me arrestimin e Juxhin Drazhit në Spanjë. Drazhi u vu në pranga në ambientet e një vile luksoze gjatë një operacioni të organizuar nga policia spanjolle.

Ai konsiderohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, ndër të tjera. Drazhi pritet të ekstradohet drejt Tiranës, ku do të përballet me drejtësinë.

Mediat spanjolle raportuan më herët se Juxhin Drazhi është kapur nga Garda Civile e Malagas në një vilë luksoze në Almuñécar (Granada). Pas mbikëqyrjes së pronës, autoritetet policore spanjolle zbuluan se Juxhin Drazhi ishte fshehur atje, duke mos dalë nga vila dhe duke përdorur bashkëpunëtorët e tij për t’i siguruar gjithçka që i nevojitej për të shmangur identifikimin dhe arrestimin.

Prona ku ai ishte fshehur ishte një vilë luksoze me çdo komoditet, e vendosur në një terren të lartë, gjë që i lejonte atij të monitoronte mjedisin përreth dhe të parashikonte çdo ndërhyrje të policisë.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shkëmbimi në kohë i informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit vë në pranga një shtetas të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid/Spanjë, vijon bashkëpunimin për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt vendit tonë.

ME TE LEXUARAT