Seanca e parë paraprake ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, GJKKO cakton datën
Seanca e parë paraprake në GJKKO ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit do të mbahet më datë 25 shtator. Mësohet se në këtë seancë do të vendosët nëse çështja Meta-Kryemadhi do të kalojë për gjykim apo jo. Kjo seancë do të drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u caktua nga shorti elektronik që u hodh javën e kaluar.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet më 29 gusht dhe çoi për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Ndaj tyre rëndojnë nga tre akuza: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim i pasurisë. Sipas SPAK, pas hetimeve të kryera janë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik. Për gjykim janë dërguar edhe tre persona të tjerë.
Ndërkohë më 8 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Ilir Metës, i cili kërkoi lirimin nga burgu.