‘Skandal i përsëritur në Onkologjik’, Vokshi: Pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar në SPAK një situatë të rëndë në Spitalin Onkologjik, ku pacientët që luftojnë me jetën nuk marrin terapitë e nevojshme.
Sipas Vokshit, aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit, duke lënë dhjetra pacientë me kancer pa trajtim jetik. Ajo e cilëson situatën si një “skandal të përsëritur” dhe e quan këtë një krim shtetëror, duke akuzuar autoritetet për papërgjegjshmëri ndaj jetëve të njerëzve.
Deputetja kërkon ndërhyrje urgjente për rikthimin në funksion të pajisjeve dhe sigurimin e terapive për pacientët që kanë nevojë jetike.
Fjala e plotë:
Skandal i përsëritur në Onkologjik!
Aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur = rrezik për jetën!
Nuk është hera e parë.
Nuk është rast i izoluar.
Prej një viti kam kallëzuar në SPAK Ramën, ministrat e Shëndetësisë, drejtuesit e QSUT e Onkologjikut për vrasje me dashje, shpërdorim detyre, neglizhencë mjekësore. Sot janë të njëjtët drejtuea në Qeveri, e në Onkologjik. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë nuk mban përgjegjësi për shëndetin apo jetët e humbura.
Sot, ndërsa qindra milionë euro shkojnë për koncesione abuzive (Check-up, sterilizim, laboratorë), pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën.
Ky është krim shtetëror. Dhe SPAK, duke heshtur, është bërë bashkëfajtor.