Topalli mbështet Berishën: Basha do largohet më shpejt nga c`pritet
Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli tha në “Now” se Lulzim Basha do të largohet shumë shpejt nga drejtimi i partisë.
“Unë jam e sigurt se Lulzim Basha do ik shumë shpejt, më shpejt se mund ta mendojnë njerëzit.
Ka shumë rrugë, është vulnerabël, është me probleme të mëdha, ai nuk është në gjendje të bëjë transparencë për pasurinë e tij. Ai nuk bën transparencë për asgjë”, tha Topalli.
E pyetur nëse e mbështet lëvizjen e nisur nga ish-kryetari i PD-së Sali Berisha, znj. Topalli dha këtë përgjigje:
“Unë qëndrimet e mia nuk i mbaj në varësi të sjelljeve në varësi të një momenti të caktuar. Nëse ka një lëvizje, që synon rikthimin e legjitimitetit të votës, rikthimin e debatit, përpjekjen për ndërtimin e një opozite reale, sigurisht që e mbështes”, tha ajo.
Topalli tha se PD-ja nën drejtimin e Lulzim Bashës ka humbur identitetin dhe parimet mbi të cilat u krijua.
“Ai [Lulzim Basha] shfrytëzon vulën e saj që ishte dikur PD, për të qenë gjithmonë në krye të asaj që quhet PD edhe në opozitë. Ka kohë që nuk është PD, ajo që ishte PD, jeton një krizë identiteti, një krizë përfaqësimi dhe një krizë fshirjesh të vlerave dhe parimeve kryesore mbi të cilat ajo është ngritur”, tha ajo.
Ajo u pyet për rezultatin aspak pozitiv në zgjedhjet e 25 prillit nën siglën e Lëvizjes për Ndryshim.
Sipas Topallit, njerëzit nuk e kishin të qartë kur u fliste jashtë ngjyrave të Partisë Demokratike, pasi ishin mësuar ta shihnin si pjesë të kësaj partie.
“Njerëzit kërkojnë të jesh brenda asaj që ishte PD, aty ku janë mësuar të më shohin gjithmonë. Ata nuk ishin të qartë për atë që u thoja”, tha ajo.