Zbardhet mbledhja me dyer të mbyllura! Ja porositë që u dha Berisha drejtuesve politikë në qarqe, për protestën!
Sali Berisha ka mbledhur sot drejtuesit politikë të Partisë Demokratike në qarqe, ku ka mbajtur një fjalim të gjatë e të ashpër në lidhje me zgjedhjet e 11 majit. Ai ka akuzuar qeverinë dhe Edi Ramën për atë që e cilësoi “megakrim elektoral”, duke theksuar se vota u ble hapur me fonde publike dhe presion shtetëror.
“Zgjedhjet u grabitën publikisht nga regjimi me vendime qeverie. Janë shpërndarë 70 milionë euro për 760 mijë pensionistë, që përbëjnë 48% të votuesve – një blerje e pastër e votës me para publike”, tha Berisha, duke e quajtur këtë si manipulimin më të rëndë që ka parë vendi në 33 vite pluralizëm.
Megjithatë, ndryshe nga ajo që pritej pas një rezultati zhgënjyes për PD-në – e cila në shumë qarqe humbi mbështetjen tradicionale dhe mbeti nën pritshmëritë – në asnjë moment Berisha nuk mori përgjegjësi për performancën e dobët të partisë që drejton. Ai nuk bëri asnjë reflektim mbi listat e përzgjedhura, përjashtimet e figurave të pëlqyera nga elektorati apo strategjinë që çoi në izolimin e opozitës.
Në vend të një analize të brendshme, Berisha zgjodhi të fokusohet te denoncimi i qeverisë dhe SPAK-ut, duke përforcuar narrativën e një opozite viktimë të sistemit.
Berisha: Falënderoj votuesit që në kushte të vështira votuan si qytetarë të lirë dhe votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike e kombëtare ka shndërruar krimin, në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim. Kam mirënjohje për të gjithë komisionerët që u përballën me presionet për të ruajtur votën.
Pati si rezultat final, plaçkitjen grabitjen më të madhe në 33 vitet e pluralizimit. Në këto zgjedhje u faktuan në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më e madhe vjedhja dhe korrupsioni aq më shumë ato shndërrohen me votë dhe pas tyre vota në krim. Rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet pati në këto zgjedhje propocione të papara ndonjëherë.
Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk e bëri këtë fshehtas, e bëri publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie. Pra ai shpërndau dhuratë për votë, 70 mln euro, 760 mijë pensionistëve të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48 përqind të votuesbe në shqipëri.
Kjo është shkelja publike më e rëndë më e paprecedentë, cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë se ky nuk është një megakrim elektoral një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, ose nuk ka ABC më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta.