“Kiss Cam” po vjen në Prishtinë – Kujdes kë merr me vete në Sunny Hill Festival!
Një skenë e sikletshme në koncertin e Coldplay ku CEO i kompanisë “Astronomer”, Andy Byron, u kap nga “Kiss Cam” teksa i afrohej një kolegeje, ndonëse i martuar — u bë virale dhe ndezi rrjetin me komente të zjarrta dhe ironi pa fund. Në kulmin e debatit, Sunny Hill Festival vendosi që këtë vit t’i japë këtij elementi një vend zyrtar në programin e vet.
Përmes një postimi me humor në Instagram, organizatorët njoftuan se “Kiss Cam” do të jetë pjesë e festivalit që mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Prishtinë, duke paralajmëruar publikun:
“KUJDES!!! Kiss Cam po vjen në Sunny Hill këtë vit!”
Një thirrje e qartë për të gjithë festivaldashësit që të mendojnë mirë përpara se të vendosin kë do të marrin me vete. Sepse ndoshta nuk do të jenë vetëm në sy të publikut, por edhe në objektivin e kamerës.
“Kiss Cam”, një element i njohur në stadiume dhe skena koncertesh në mbarë botën, sjell spontaneitet, gaz dhe situata të papritura — herë romantike, herë absurde, dhe herë… kompromentuese. Pas incidentit të Coldplay, kjo kamerë tashmë ka hyrë zyrtarisht në pop kulturën e vitit 2025, dhe Sunny Hill po e shfrytëzon këtë valë për të rritur energjinë dhe ndërveprimin me publikun.
Pra, nëse po planifikon të shkosh në Sunny Hill këtë gusht — kujdes mos e kap kamera në momentin e gabuar. Sepse këtë herë, ajo përqafimi rastësor ose përkëdhelja e pafajshme… mund të shndërrohet në lajmin e rradhës që bën xhiron e rrjetit.