Veza është ‘ëngjëll apo djall’? Ja sa duhet ta konsumoni dhe si ta kombinoni!

Nutricionisti Altin Joka, i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, u ndal te rëndësia e vezëve për organizmin tonë, si dhe te kombinimet që shpesh bëjmë me to dhe ushqime të tjera. Dikur, veza konsiderohej si një ushqim që rriste kolesterolin, ndërsa sot rekomandohet për vlerat e saj ushqyese.
“Veza është si zjarri: e dobishme në vendin dhe sasinë e duhur, por kur teprohet mund të të djegë, pra të bëhet e dëmshme. Duhet parë çfarë futim në trup, në çfarë sasie dhe me çfarë e kombinojmë. Studimet e kryera në dy universitete nordike tregojnë se një vezë në ditë ka shumë pak gjasa të dëmtojë, por duhet kujdes me kombinimet, pasi shpesh shoqërohet me ushqime të gabuara”, u shpreh Joka.
Nutricionisti shtoi se veza nuk është thjesht kolesterol, por një “paketë biologjike”. Edhe Shoqata Amerikane e Shëndetit rekomandon konsumimin e një veze në ditë.
“Vezët nuk duhen konsumuar në sasi. Duhet të kemi parasysh se rreth 90% e tyre vijnë nga pula fermash, të cilat ushqehen me koncentrate, hormone dhe antibiotikë, si dhe kanë mungesë të ekspozimit ndaj rrezeve të diellit. Të gjitha këto ndikojnë në cilësinë e tyre”, tha Joka.
Sa vezë duhet të konsumojmë?
Nuk ka një numër të vlefshëm për të gjithë. Një vezë në ditë konsiderohet një zgjedhje e mirë. Atletët mund të konsumojnë edhe 2 vezë në ditë, për shkak të aktivitetit fizik dhe shpenzimit më të madh të energjisë. Edhe të moshuarit mund të konsumojnë një vezë në ditë, por gjithçka varet nga parametrat shëndetësorë. Në përgjithësi, një person i shëndetshëm nuk duhet të konsumojë më shumë se 3-4 vezë në javë.
Si duhet ta gatuajmë?
Veza e skuqur pëson transformime, ndërsa veza e zier është forma më e afërt me natyralen. Gjatë skuqjes, vajrat në temperatura të larta oksidohen, duke ulur vlerat ushqyese. Gjithashtu, nuk rekomandohet kombinimi i vezëve me vajra të tepërt, gjalpë apo mishra të përpunuar. Mënyra më e mirë për ta konsumuar vezën është e zier poché, një vezë e zier pa lëvozhgë në ujë të vluar.
Veza e freskët mund të konsumohet edhe e pagatuar, por ekziston rreziku i salmonelës dhe pengohet përthithja e vitaminës B7. Për këtë arsye, forma më e sigurt dhe e rekomanduar mbetet ajo e zier.
Veza është një paketë e plotë biologjike dhe duhet konsumuar e gjitha. E bardha përmban proteina, ndërsa e verdha është e pasur me kolinë, vitamina D, A, B12, luteinë dhe yndyrna të shëndetshme./Shqiptarja


