Dikur pjesë e Kombëtares në Euro 2016, Andi Lila beson te kualifikimi i kuqezinjve në Botërorin 2026

Sport

Dikur pjesë e Kombëtares në Euro 2016, Andi Lila beson te

Andi Lila është një prej futbollistëve që ka shkruar fort emrin e tij me kombëtaren shqiptare teksa ka qenë pjesë e asaj skuadre që bëri historinë me kualifikimin për herë të parë në fazën finale të një kompeticioni madhor sic ishte Evropiani i Francës 2016, një kompeticion ku kuqezinjtë që në atë kohë drejtoheshin nga Gianni De Biasi e mbyllën atë eveniment me një fitore atë ndaj Rumanisë me golin e Armando Sadikut.

Në një rrëfim të gjatë për FSHF, ish futbollisti tregoi për atë aventurë të përjetuar në tokën transalpine për t’u kthyer në ditët e sotme te skuadra aktuale duke folur për progresin që është bërë prej saj

‘Nga koha kur isha unë futbollist, Kombëtarja është rritur për sa i përket anës organizative. Shoh që trajneri jeton në Shqipëri, shkon të takojë futbollistët. Shoh që Federata është e përkushtuar te ekipi kombëtar. E gjithë vëmendja mediatike, tifozeria dhe shqiptarët e kanë mendjen akoma më shumë te ekipi kombëtar-tha Andi Lila-Mendoj që është në një rrugë jashtëzakonisht të mbarë dhe mezi pres që të shkoj në Poloni dhe të shikoj kualifikimin. Gjenerata ime shkoi për herë të parë në Europian, por uroj të jemi gjallë e ta shikojmë ekipin kombëtar në Kampionatin Botëror. Është padiskutim shumë e vështirë, por asnjëherë e pamundur’

Andi Lila tha se ndihet me fat se ka luajtur përkrah emrave si Lorik Cana apo Etrit Berisha, por shtoi se shpreson se skuadra aktuale të jetë shumë më produktive

‘Unë ndihem me shumë fat, sepse kam luajtur me lojtarë të jashtëzakonshëm. Lorik Cana, Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Ansi Agolli, Migjen Basha, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Bekim Balaj, Armando Sadiku, Sokol Cikalleshi, Odise Roshi, Ermir Lenjani. Një plejadë futbollistësh që unë e konsideroj veten me fat që kam luajtur me ta dhe kam mësuar shumë prej tyre-shtoi Andi Lila-Ndërsa tani është diçka tjetër, si dy botë të ndryshme, dhe do të doja që kjo botë tani të kualifikohej dhe të bëhej më produktive dhe më e rëndësishme se ajo që lamë pas.

Në muajin mars Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Polonisë në playoffin e Botërorit me Andi Lilën që shprehu besimin për një kualifikim të mundshëm dhe mesazhin që ai do t’iu jepte futbollistëbe kuqezi në prag të kësaj ndeshjeje

‘Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme edhe për pjesën psikologjike dhe moralin që marrin futbollistët. Besoj që do ta kalojnë, edhe me pak fat.Mendoj që Polonia është një skuadër shumë serioze, shumë e fortë. Nuk është ajo Poloni që mundëm para dy vitesh, por ne kemi shanset tona, sepse këtë e treguam në Serbi dhe në shumë fusha të tjera. I uroj shumë suksese dhe fat ekipit kombëtar. Futbollistëve do t’iu thoja:Çuna, nderoni fanellën, nderoni kombin, nderoni Shqipërinë, familjen tuaj dhe, në fund fare, veten tuaj. Shkruani emrat tuaj me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar. Do të ishte mrekulli dhe krenari për gjithësecilin-përfundoi Andi Lila.

ME TE LEXUARAT