Trafikuan drogë drejt Danimarkës 7 herë! Si funksiononte grupi kriminal, lënda përzihej me paracetamol e kafeinë për ...

Aktualitet

Trafikuan drogë drejt Danimarkës 7 herë! Si funksiononte grupi

Një person është arrestuar dhe ndaj një tjetri janë ekzekutuar masa sigurie, në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar heroinë drejt Danimarkës në të paktën 7 episode.

Sipas SPAK, më 14 maj është arrestuar Marsel Licaj, ndërsa ndaj Ermal Licaj është caktuar masa “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe autoriteteve daneze, në vijim të një hetimi ndërkombëtar për trafikun e lëndëve narkotike.

Të dy personat dyshohen për përfshirje në veprat penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Hetimet kanë nisur pas procedimit të autoriteteve daneze në vitin 2023, të koduar “Operacioni Bacchus”, ku një rrjet kriminal me shtetas shqiptarë dhe të huaj dyshohet se ka trafikuar heroinë nga Suedia drejt Danimarkës në periudhën tetor 2023 – janar 2024.

Sipas të dhënave hetimore, lënda narkotike përgatitej për treg duke u përzier me substanca si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim rritjen e fitimeve.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal ndërkombëtar.

 

 

ME TE LEXUARAT