Operacioni i AMP në Sarandë e Ksamil kundër ndërtimeve pa leje, arrestohen dy policë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetime për fenomenin e ndërtimeve pa leje në Sarandë dhe Ksamil, duke verifikuar rolin e efektivëve të policisë në lejimin apo mosparandalimin e këtyre rasteve.
Sipas informacioneve paraprake, deri më tani janë arrestuar dy efektivë policie, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka pasur përfshirje apo tolerim nga strukturat përgjegjëse.
Lëvizja e AMP vjen pas dy rasteve të konstatuara gjatë ditëve të fundit në zonë.
Në një prej rasteve, Prokuroria ka sekuestruar një kat hoteli që ishte ndërtuar pa leje, ndërsa në një tjetër rast në Ksamil janë arrestuar tetë punëtorë që po kryenin punime të paligjshme në një zonë plazhi.
Burime bëjnë me dije se hetimet do të fokusohen edhe te veprimet ose mosveprimet e strukturave policore që kanë përgjegjësi për kontrollin e territorit, për të verifikuar nëse ka pasur neglizhencë apo përfshirje direkte në këto raste.


