Diplomimi i 104 studentëve të Akademisë së Sigurisë, Hita: Një model i ri formimi po ndërton të ardhmen e Policisë

Është zhvilluar sot ceremonia e diplomimit të 104 studentëve të Akademisë së Sigurisë, në një aktivitet ku morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues të qeverisë, përfshirë ministrat Besfort Lamallari dhe Mirela Kumbaro.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryepolici Skënder Hita, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij brezi të ri për Policinë e Shtetit dhe transformimin që po pëson sistemi i formimit policor në vend.
Sipas tij, një model i ri edukimi dhe trajnimi ka nisur të zbatohet prej dy vitesh në Akademinë e Sigurisë, duke sjellë një qasje më të drejtpërdrejtë në formimin profesional të efektivëve të rinj.
“Ceremonia e sotme është një ditë me simbolikë të veçantë për Policinë e Shtetit dhe për ju të sapodiplomuar. Një model i ri formimi ka nisur të ndërtojë të ardhmen në Policinë shqiptare… Ju jeni brezi i fundit që u rrit profesionalisht brenda familjes së madhe të Policisë së Shtetit, një urë mes dy epokave”, u shpreh Hita gjatë fjalës së tij.
Ai shtoi se diplomimi i këtij brezi shënon përfundimin e një etape të rëndësishme dhe fillimin e një faze të re me përgjegjësi më të larta për të rinjtë që do t’i bashkohen strukturave të Policisë së Shtetit.
Ceremonia u konsiderua si një moment simbolik për institucionin, duke reflektuar ndryshimet në mënyrën e re të formimit profesional të punonjësve të policisë në Shqipëri.
“Një model i ri formimi ka nisur të ndërtojë të ardhmen në Policinë shqiptare, pasi prej 2 vitesh auditorët e Akademisë janë mbushur me të rinj dhe të reja që hyjnë drejtpërdrejtë në rrugën e formimit policor. Sot diplomojmë një brez që mbart mbi supe përvojën e terrenit dhe dritën e dijes akademike. Ju jeni brezi i fundit që u rrit profesionalisht brenda familjes së madhe të Policisë së Shtetit, brez me të cilin mbyllet një cikël dhe hapet një horizont i ri. Ndaj kjo ju jep një peshë të veçantë, sepse ju jeni ura mes dy epokave të Policisë së Shtetit në arsim, mes eksperiencës së fituar në punë dhe modelit të ri të edukimit policor që po ndërtojmë. Ky është një moment që shënon fundin e një etape dhe nisjen e një përgjegjësie edhe më të madhe”, tha mes të tjerësh Hita.


