Erdogan promovon projektligjin për Zonën Ekskluzive Ekonomike deri në 200 milje detare nga brigjet e Turqisë

Bota

Erdogan promovon projektligjin për Zonën Ekskluzive Ekonomike deri

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, po promovon një projektligj që i jep kompetenca për shpalljen e një Zone Ekskluzive Ekonomike (ZEE) deri në 200 milje detare nga brigjet e Turqisë, raportoi Bloomberg.

Sipas raportimit, partia në pushtet AKP po përgatit një legjislacion që do t’i lejojë presidentit turk të zgjerojë të drejtat e Ankarasë mbi peshkimin, kërkimet energjetike dhe shpimet në det, si dhe krijimin e parqeve detare në Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Lëvizja e mundshme e Turqisë shihet si një përgjigje ndaj pretendimeve të Greqisë dhe Qipros për zonat e pasura me gaz natyror në Mesdheun Lindor, një rajon prej kohësh i përfshirë në tensione për kufijtë detarë.

Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, shtetet kanë të drejtë të shpallin ZEE deri në 200 milje detare, por në rastet e mbivendosjes së pretendimeve kërkohen marrëveshje mes palëve.

Turqia, megjithatë, nuk e ka ratifikuar këtë konventë. Ankaraja kundërshton që kufijtë detarë të Greqisë të përcaktohen nga ishujt pranë brigjeve turke, duke argumentuar se shelfi kontinental duhet të matet nga territori kontinental. Po ashtu, Turqia mban qëndrimin se shtetet ishullore, përfshirë Qipron, kanë të drejta të kufizuara detare.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për dialog mes Greqisë dhe Turqisë mbi mosmarrëveshjet për kërkimet energjetike në rajon.

Bashkimi Evropian më herët ka paralajmëruar Turqinë për mundësi sanksionesh lidhur me aktivitetet e shpimeve në ujërat e kontestuara, pas shqetësimeve të ngritura nga Greqia dhe Qiproja.

ME TE LEXUARAT