Aksion në Tiranë kundër parkimeve të paligjshme: 75 hapësira të zëna, ultimatum 2 ditë për lirimin

Aktualitet

Aksion në Tiranë kundër parkimeve të paligjshme: 75

Autoritetet në Tiranë kanë intensifikuar kontrollet në terren për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, kryesisht nga parkimet me pagesë të vendosura pa leje.

Aksioni po zhvillohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Bashkia Tiranë, Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit.

Gjatë monitorimit të zhvilluar në zonën e mbuluar nga Komisariati nr. 2, një nga pikat më problematike të qytetit, është konstatuar një fenomen i përhapur i zaptimit të hapësirave publike, ku individë apo subjekte i shfrytëzojnë ato për parkim kundrejt pagesës.

Sipas të dhënave zyrtare, janë identifikuar rreth 75 raste të tilla në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Nënkryetari i Bashkia Tiranë, Blendi Sulaj, ka paralajmëruar se subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet të paligjshëm kanë vetëm dy ditë kohë për të liruar hapësirat në mënyrë vullnetare. Në të kundërt, ndaj tyre do të ndërhyhet me masa ligjore dhe penalitete.

Nga ana tjetër, Elton Alushi, drejtues i Policisë së Tiranës, theksoi se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe se çdo tentativë për të bllokuar hapësirat publike do të shoqërohet me procedime penale dhe sekuestrim të mjeteve që përdoren për këtë qëllim.

ME TE LEXUARAT