Ali Ahmeti mesazh Kurtit nga Tirana: Disa të pavetëdijshëm po mbjellin ndasi që i shërbejnë axhendave ruso-serbe
Nga podiumi i ngritur në sheshin “Skënderbej” ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, teksa shprehu mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë, përmendi edhe një shqetësim siç e cilësoi ai, që nuk mund ta linte pa e adresuar publikisht.
Ahmeti tha se ka ende mes shqiptarëve që, të pavetëdijshëm, po iu shërbejnë axhendave ruso-serbe. Sipas tij, liria e Kosovës nuk duhet të jetë një “arenë për politika individuale, partiake apo zgjedhore” dhe as “një pushkë për ndasi ndërshqiptare”. Ndonëse nuk përmendi emra, duket se ai i referohet Albin Kurtit, i cili një ditë më parë, përmes një mesazhi nga Lëvizja Vetëvendosje shënjestroi kryeministrin Edi Rama se kishte shkuar me helikopter në Prishtinë për të mbështetur Gjykatën Speciale.
Kreu i BDI-së theksoi se shqiptarët duhet të jenë të gjithë të bashkuar, ashtu sikurse ishin për lirinë e Kosovës, për Shqipërinë dhe rrugën e saj në NATO e BE dhe për shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi.
“Dua para jush të adresoj edhe një shqetësim, ka akoma në mesin tonë ca të pavetëdijshëm që i shërbejnë axhendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndërshqiptare dhe mbjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqe pa qenë fare të vetëdijshëm se po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës. Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale, partiake dhe zgjedhore. Liria e Kosovës nuk është pushkë për ndasi ndërshqiptare. Të dashur shqiptarët e mi, duhet të bashkohemi ashtu siç u bashkuam për Kosovën republikë, për Shqipërinë demokratike në NATO dhe BE, për shqiptarët e barabartë në një Maqedoni euroatlantike, për të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe Mal të Zi, ashtu duhet të bashkohemi edhe për lirinë e çlirimtarëve dhe dinjitetin e UÇK. Të nderuar vëllezër e motra, edhe njëherë nga zemra respekt në përjetësi nënës Shqipëri, të gjithë ju ushtarë e ushtarë të ushtrisë çlirimtare. Edhe unë jam UÇK.”, tha Ahmeti.
Ahmeti, në fjalën e tij, theksoi se rëndësinë se po ofrojnë mbështetje ndaj çlirimtarëve nga nëna Shqipëri. Ai vuri theksin edhe te fakti se akuzat ndaj Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit janë të fabrikuara dhe pas të cilave qëndrojnë serbët dhe rusët.
“Ushtarë të lirisë. Faleminderit Shqipëri, faleminderit Nënë! Na ke trajtuar dhe pritur si nëna bijën. Do të doja të përshëndes gjeneralin e luftës dhe të paqes presidentin Alfred Moisiun, çlirimtarin që ka dalë këtu për t’u solidarizuar me luftëtarin e lirisë sepse vetë ka qenë luftar i lirisë. Të nderuar bashkëkombas, shoqata të Shqipërisë, të Tiranës për organizimin dhe kontributin që jepni në këtë fushë për drejtësi. Të nderuar atdhetarë të ardhur nga të gjithë trojet përballë shtratit të lartë të kryegjeneralit të kombit, Gjergj Kastrioti në Tiranën tonë. Të dashur drejtues të institucioneve të Shqipërisë, sot jemi bashkë. Tirana, Prishtina e Shkupi dhe kështu qofshim përherë. Dje nga sheshi Skënderbej në Prishtinë dhe sot nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe nesër nga sheshi “Skënderbej” në Shkup po ngremë zërin oër drejtësi, për njohjen e luftës tonë të drejtë, për liri e demokraci, pavarësi e miqësi me Amerikën dhe Evropën. T’i themi gjërat troç, zanafilla e Gjykatës Speciale të Kosovës është në raportime trilluese ruso-serbe për trafikim organesh që bëri bujë padrejtësisht. Këtë çështje inekzistente që doli nga kuzhina e shërbimeve serbe me institucionet ruse e hetoi dhe Tribunali i Hagës dhe konstatoi se nuk është e vërtetë dhe e mbylli hetimin. Dick Marty e mediatizoi me porosi ruso-serbe. Pra, kjo gjykatë u themelua që të zbardhë pretendimet për trafikim organesh me mandat nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000. U themelua nga vetë Kosova që t’i pamundësojë Serbisë se nëpërmjet Rusisë ta themelojë atë në Këshillin e Sigurimit në OKB dhe ta rikthejë UNMIK ku Rusia ka të drejtë vetoje. Kur u kuptua se çdo gjë ishte trillim propagandues për të nxirë imazhin e luftës tonë çlirimtare, Prokuroria përpiloi një aktakuzë tjetër mu në ditën kur në Uashington, në prezencën e Trump, do të nënshkruhej marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Sot të gjithë jemi dëshmitarë se aktakuza nuk ka të bëjë me trafikim organesh por është riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Ramushit, Fatmirit e të tjerëve. Sot ata akuzohen si çlirimtarë, si njerëz që kanë kapur pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe popullin e vet nga gjenocidi serb.”, tha Ahmeti.