Fieri mban rekordin për prodhimin e qumështit dhe mishit në Shqipëri
Blegtoria në Shqipëri, një sektor që prej dekadash ka mbajtur gjallë ekonominë rurale dhe furnizimin me produkte të freskëta, po rrënohet përditë nga vendimmarrje të pamenduara, mungesë mbështetjeje dhe një klimë politike që e sheh fshatin si pengesë, jo si prioritet.
Të dhënat e fundit nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë një panoramë prodhimi mbresëlënëse, por që nuk përputhet aspak me realitetin që jetojnë fermerët në terren.
Fieri kryeson në prodhimin e qumështit me afro 169 mijë tonë në vit, ndjekur nga Korça dhe Elbasani.
Në jug, Vlora dhe Gjirokastra mbajnë peshën kryesore të prodhimit të djathit e kosit artizanal nga delet dhe dhitë. Por të gjithë këta fermerë, që me punë të ndershme ushqejnë vendin, sot janë lënë në mëshirë të fatit.
Ndihmat mungojnë, tregjet janë të pakapshme, çmimet e ushqimeve për blegtorinë janë rritur, ndërsa shitja e produkteve në rrugë apo tregje lokale është goditur nga vetë qeveria.
Edhe per prodhimin e mishit, Fieri mban rekordin me mbi 26 mijë tonë, por edhe këtu vihet re një përqendrim i prodhimit në zona të caktuara, ku mungesa e politikave zhvillimore të drejta po lë të tjerët në harresë. Lezha, ndërkohë, evidentohet për mishin e derrit, një treg që kërkon standarde dhe rregulla, jo represion.
Sektori i vezëve dominon në Durrës, me mbi 287 milionë kokrra në vit falë pularive industriale. Tirana ndjek nga pas. Por ferma të tilla, në vend që të shërbejnë si model suksesi për të nxitur edhe të tjerët, po shtypin prodhuesit e vegjël që nuk kanë as ndihmë, as fuqi për të konkurruar në treg.
Edhe për mjaltin, Korça është në krye, e ndjekur nga Vlora dhe Elbasani. Por bletarët që i mbajnë koshere me mund, nuk kanë asnjë lloj sigurie apo garancie. Mjafton një vendim politik për të shkatërruar gjithë punën e tyre.
Në vend që të formalizohen dhe të mbështeten me subvencione reale, fermerët dhe tregtarët e vegjël po kriminalizohen. Atyre u mbyllen rrugët, u sekuestrohen produktet dhe u mohohet e drejta për të jetuar me punën e tyre. Kjo nuk është zhvillim. Është shfarosje e qëllimshme e fshatit.
Kur blegtoria shembet, pasojat nuk ndihen vetëm në fshat, por në gjithë zinxhirin ekonomik dhe social të vendit. Çdo fermer që heq dorë, çdo familje që emigron, është një goditje e drejtpërdrejtë për Shqipërinë.
Politikat e sotme nuk po e ndihmojnë këtë vend të ecë përpara – po e boshatisin. Dhe kur toka mbetet pa duar që e punojnë, nuk ka më as bukë, as të ardhme.
Ky nuk është një problem teknik. Është një krizë politike, ekonomike dhe morale. Dhe nëse nuk ndalet tani, kostoja do jetë shumë më e rëndë se çmimi i një litri qumësht.