Bleu njerëzit e drejtësisë me Euro për trafikantët dhe nxori të dhënat e TIMS, SPAK zbardh përfshirjen e kryepolicit Erjon Dani në grupin e drogës
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur operacionin e sotëm në katër qarqe të vendit, për goditjen e një grupi që merrej me trafikimin e lëndëve narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine drejt BE dhe Shqipërisë.
Përsa i përket Erjon Danit, SPAK thotë se gjatë kohës së cilës i referohen hetimet, ai ka ushtruar funksionin e Shefit të Policisë Kriminale, njëkohësisht dhe Zv. Shef i Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.
Gjatë kësaj periudhe, Erjon Dani i ka vënë në dispozicion trafikantit K.M të dhënat e administruara në sistemin TIMS, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, duke konsumuar edhe elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, kryepolici i arratisur Erjon Dani, bashkë me personat nën hetim M. Gj., K. M., S. M., V. R., dhe E.(alias M.) R., gjatë vitit 2020 kanë konsumuar në 3 (tre) episode, elementët e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.
Këta të hetuar, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim tek funksionarë të drejtësisë, me qëllim lehtësimin e masës së sigurimit personal apo zbutjen e masës së dënimit në episodet respektive, kundrejt përfitimit të shumave monetare prej 7,500 euro, 4000 euro dhe 4000 euro.
Nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat e dyshuar, në funksion të aktivitetit të paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së, me qëllim përfitimi monetar si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, kanë komunikuar mes tyre edhe me anë të aplikacionit të platformës së enkriptuar, “Sky ECC”¸ komunikime të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjellët juridike në fushën penale.