Burgjet e Anglisë plot me shqiptarë, Rama ja thotë në sy homologut britanik: Këto janë gënjeshtra
Kryeministir Edi Rama, mesditën e kësaj të enjte ka zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij britanik, Keir Starmer.
Fillimisht kreu i qeverisë falenderoi Starmer për këtë vizitë të tij në vendin tonë, të cilën e quajti historike duke theksuar se është vizita e parë e një kryeministri të Mbretërisë së Bashkuar që zhvillon në Shqipëri.
Teka ka falenderuar homologun e tij britanik për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë, e veçanërisht në organizimin e samitit të së nesërmes, 16 maj, kryeministri vendosi dhe pikat mbi “i” lidhur me akuzat e bëra prej kohësh tanimë se burgjet e Anglisë janë të mbushur me shqiptarë.
“Nga ana tjetër dua që të theksoj edhe një shifër më bën shumë përshtypje, ne shqiptarëve, kur thuhet se 1 në 50 shqiptarë na qenka në burg, kjo është një gënjeshtër e madhe, ndërkohë që në të vërtetë shifra është 1 në 500”, tha kryeministri duke shtuar më tej se numëri i emigrantëve të paligjshëm që largohen drejt Anglisë është ulur dhe kjo falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me atë britanikë.
Gjithashtu, Rama tha se është koha që të zgjidhet edhe një tjetër problem me emigrantët shqiptarë që jetojnë atje dhe që kanë përdorur idenitetin e Kosovës.
“Është koha për të shqyrtuar një tjetër problem që kemi në Britani me shumë shqiptarë që janë sistemuar vite më parë dhe të integruar, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta ose identitet të Kosovës, me pranimin si refugjat lufte. Dhe ata sot jetojnë me dy identitete, një për shtetin britanik, një këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme që mund t’u jepet zgjidhje duke qenë se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vitesh dhe janë kontribues në ekonomi dhe jetën shoqërore.
Janë 50 mijë shqiptarë me pasaporta britanike që kontribuojnë në shtetin britanik dhe afro 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare si kontribues të ndershëm dhe të rregullt dhe është e papranueshme për ne që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problemi i Britanisë së Madhe. Me kryeministrin kemi folur edhe për shkëmbimet tregtare. Kemi rritje krahasuar me më parë, rreth 27%, por shuma e përgjithshme e shkëmbimeve tregtare është më pak sesa buxheti i skuadrës së Cristal Palace. Kështu që është mirë të rrisim pak më shumë.”, u shoreh Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës:
I dashur Kier është një tjetër vizitë historike në Tiranë pas asaj të presidentit Macron i cili ishte i pari president në historinë me marrëdhënieve shqiptaro franceze që vizitoi Shqipërinë, ju jeni i parë kryeministër në marrëdhëniet shqiptaro-britanike që vizitoni Tiranën për një vizitë bilaterale që ne çojmë shumë në vigjilje të samitit të 6 të Komunitetit politik europian. Dhe dua t’ju falenderoj ju posaçërisht për për kujdesjen qysh në ditën që kur erdha në samitin e Londrës që ngarkuat njerëzit tuaj për të na ndihmuar me eksperiencën e tyre në organizimin e këtij samite në Tiranë që shpresoj që ne ta kemi në lartësinë e duhur nesër.
Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona edhe për shkak se asnjëherë më parë nuk kemi qenë kaq të lidhur në të paktën dy çështje të rëndësishme. Natyrisht në çështjen e Ukrainës si dy vende që ndajmë edhe anëtarësinë në NATO dhe në çështjen e betejës kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale që e stimulojnë emigracionin.
Besoj që në këtë të dytën kemi bërë progres të jashtëzakonshëm ndërkohë që për sa i përket të parës marr parasysh edhe situata në përgjithësi gjeopolitike është shumë e trazuar ne kemi thelluar bashkëpunimin edhe po punojmë intensivisht për të krijuar më shumë sinergji në fushën e sigurisë e posaçërisht të mbrojtjes.
Në angazhimin kundër rrjeteve kriminale dhe emgiracionit të paligjshëm kemi arsye të jemi shumë krenare për punën që kemi bërë shifrat janë mbresëlënëse dhe unë përfitoj nga rasti i pranisë tuaj dhe i pranisë të dërguarve të medias britanike për të theksuar që referimi në shifrat e këtij bashkëpunimi është gjëja e duhur për publikun britanik dhe jo kultivimi i miteve dhe miti se shqiptarët janë një problem për Britaninë pasi të gjitha shifrat flasin vetë.
Në vitin 2024 nr i shqiptarëve që kanë hyrë apo tentuar të hyjnë në mënyrë paligjshme është disa qindra, ndërkohë që në momentin që ne kemi shtyrë përpara për të ngritur task-forcën e përbashkët arriti në 12 mijë, përkatësisht në vitin 2022 kur pati një fluks të madh. Nga ana tjetër dua që të theksoj edhe një shifër më bën shumë përshtypje, ne shqiptarëve, kur thuhet se 1 në 50 shqiptarë na qenka në burg, kjo është një gënjeshtër e madhe, ndërkohë që në të vërtetë shifra është 1 në 500, dhe e fundit që dua të theksoj është se unë jam shumë krenar për Policinë shqiptare të cilat janë vlerësuar me çmimin e parë parvjet për punën e shkëlqyer.
Dhe vjet nuk e morën çmimin e parë që mos bënin xheloz të tjerët dhe ta merrnin dy herë radhazi, dhe e pranojmë këtë të jemi viktima të xhelozisë të së tjerëve. E fundit është koha për të shqyrtuar edhe një tjetër problem që kemi në Britani me shumë shqiptarë që kanë arritur dhe janë sistemuar në Britani shumë vite më parë, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta, identitet të Kosovës për të pasur praninë si refugjatë lufte, ndërkohë që largoheshin nga një vend në vështirësi.