SPAK i ka marrë celularin? Kryebashkiaku i Vaut të Dejës mohon kontrollet ndaj tij!
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli mohon se ka qenë pjesë e kontrolleve nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, në dyshimet për përfshirje të zyrtarëve të lartë në krime zgjedhore.
Ai thotë se, është i gatshëm të bashkëpunojë me çdo instancë shtetërore ndërsa ndodhet në terren, aty ku banorët e kanë votëbesuar për të shërbyer.
“Jam në krye të detyrës, jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjithë instancat qeveritare. Po bëj punën që na ka votuar populli dhe të kryejmë detyrën që na është dhënë dhe besuar nga populli”, tha kryebashkiaku i Vaut të Dejës.
Lidhur me vënien nën hetim të Shkrelit apo sekuestrimin e celularit të tij, SPAK nuk ka bërë asnjë koment, ndonëse RTSH kontaktoi me zyrën e shtypit.
Prej ditësh, SPAK dhe BKH kanë zbarkuar në terren për të evidentuar çdo rast të krimeve zgjedhore, ku po hetojnë 39 kallëzime për krimet zgjedhore, ku 17 kallëzime janë dërguar për verifikim në polici ndërsa për 25 kallëzime u vendos mos fillimi i hetimit.
Në total numërohen 156 materiale hetimore, ku në 39 procedimet penale të regjistruara, 21 janë mbi bazën e referimit të policisë, 1 nga SHKB e burgjeve, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK, 3 kallëzime nga qytetarët dhe 3 kallëzime nga subjektet politike.