Emri/ Kush është shqiptari në listën e më të kërkuarve në Europë, ja veprat penale!
Një shqiptar i është shtuar listës së personave më të kërkuar në Europë. Bëhet fjalë për 34-vjeçarin Shpendi Malo.
Ai është pjesë e listës ‘Europe’s Most Wanted’ pasi besohet se ka vrarë një 27-vjeçar nga Shqipëria. Sipas ZDF, krimi ka ndodhur më 11 shtator 2019 në Gjermani. Në mbrëmjen e 11 shtatorit 2019, Shpendi Malo dyshohet se e ka joshur viktimën me anë të celularit në pyllin Dölauer Heide, një pyll urban në Halle (Saale).
Aty dyshohet se ai e ka therur të riun me thikë. Viktima vdiq në vendngjarje. Për të fshehur krimin, trupi u hodh në një kanal dhe u mbulua me gjethe. Katër ditë më vonë, ai u gjet nga kalimtarët.
Ende nuk është e qartë nëse ka pasur një bashkëpunëtor. Por sipas policisë, disa prova e sugjerojnë këtë. Edhe motivi i saktë i krimit nuk dihet. Mund të bëhet fjalë për mosmarrëveshje në fushën e trafikut të drogës. Shpendi Malo është 34 vjeç. Personi i kërkuar kishte flokë të errët dhe të drejtë në vitin 2019 dhe ishte i dobët. Detaj i veçantë: në fytyrën e tij ka disa nishane, më i madhi ndodhet poshtë syrit të djathtë.
Ai cilësohet i rrezikshëm dhe Europoli sugjeron që të mos i afrohen por të lajmërojnë policinë ose autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit.