Detaje te reja mbi arrestimin e 37-vjeçarit në Tiranë, ishte nën hetim për mashtrime nëpërmjet Call Centerave

Aktualitet

Detaje te reja mbi arrestimin e 37-vjeçarit në Tiranë, ishte

Një 37-vjeçar me inicialet N.S., i identifikuar si Ndriçim Sula, është vënë në pranga në Tiranë pasi rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia spanjolle, për mashtrim me pasoja të rënda në kuadër të një organizate kriminale.

Sula u ndalua këtë të hënë nga Policia Rrugore pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, pasi u kap duke përdorur celularin gjatë drejtimit të makinës. Ajo që fillimisht u konsiderua një shkelje e zakonshme e Kodit Rrugor, çoi në zbulimin e një kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, i lëshuar nga Gjykata e Seu de Urgell në Spanjë.

Sipas të dhënave zyrtare, ai është pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Amant Josifi – person nën hetim për një nga skemat më të mëdha të mashtrimit financiar përmes “Call Center”-ave, me një dëm ekonomik të përllogaritur në rreth 2.4 miliardë euro. Josifi, i kërkuar nga disa shtete, dyshohet se është arrestuar në Dubai. Më parë ka shërbyer edhe si këshilltar i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ndriçim Sula përballet me akuzën e “mashtrimit të rëndë” si pjesë e një organizate kriminale, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Policia shqiptare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës.

ME TE LEXUARAT