EMRI/ Kush ishte “Profesori” që reklamonte skemën piramidale “XUEX”, ja si ra në “grackën” e policisë

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me hetimet mbi skemën mashtruese të firmave piramidale online, që u godit nga policia. Sipas dosjes hetimore, organizatorët e kishin përhapur në disa zona të Shqipërisë dhe madje, e reklamonin hapur.
Një nga lokalet që reklamonte XUEX ishte bar-restoranti “La Bonta” në qytetin e Lushnjës, ku ishin afishuar dy postera që promovonin investimet në platformën e dyshimtë. Në postera shkruhej “EG Group Investment XUEX – Investim një herë = Përfitime të përjetshme” dhe “Projekt investimi afatgjatë, Punë ekipore, Sinjale tregtare, Shumë shpërblime”.
Në hyrje të këtij restoranti, i cili ndodhet në rrugën “Shëtitorja e Palmave” në Lushnjë, ishte i vendosur një reklamë e qartë për skemën piramidale XUEX.
Arsyeja ishte sepse 3 nga personat që u arrestuan si organizatorë të këtij mashtrimi, Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj, ishin punonjës në këtë lokal.
Sipas dëshmive të mbledhura nga hetuesit, punonjësit e restorantit sqaruan se për të hyrë në platformë, individët duhej të bënin një investim minimal prej 1000 dollarësh. Ata gjithashtu sugjeruan që të bashkoheshin me grupe në rrjetin social Telegram, ku mund të merrnin më shumë informacion dhe mundësi për të investuar.
E gjithë skema arriti të zbërthehej vetëm pasi brenda saj u infiltruan disa agjentë policie. Këta të fundit kanë shkuar në lokalin ku ishte vendosur reklama dhe kanë folur me Emanuel Taullau. Ai u ka thënë se ishte pjesë e platformës dhe mund t’i bënte ata pjesë të saj, ose mund t’i ndihmonte një person tjetër. Hetimet më vonë treguan se ai njihej edhe me pseudonimin “profesori” në grupet e “Telegram” ku zhvillohej biseda.
Në datën 27 gusht 2025, agjentët e policisë, të cilët po kryenin veprime simuluese, bënë një depozitë prej 1000 dollarësh në llogarinë e platformës XUEX, pas udhëzimeve të dhëna nga Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj. Pjesëmarrësit në këtë operacion janë regjistruar në platformën XUEX dhe janë futur në grupet e promovuara nga ata në “Telegram”.