Atentati në Tiranë, nipi i pronarit të ‘Pelikan Security’ festonte ditëlindjen me kushëririn e shokun, u qëlluan në breshëri
Nje ngjarje mafioze ka ndodhur mbremjen e djeshme ne Tirane me pasoje plagosjen e kater shtetasve.
Plumbat nuk kursyen as femijet.
11-vjeçari, nipi i pronarit të kompanisë “Pelikan Security” që ishte në automjetin tip G Class ndaj të cilit u qëllua me breshëri plumbash mbrëmjen e së enjtes, vijon të jetë në gjendje të rënduar në spitalin e Traumës. Plumbat e kanë prekur në kraharor.
I mituri tjetër, 17-vjeçari, djali i pronarit të kompanisë së sigurisë, është dërguar prej mbrëmjes së djeshme për mjekim në një spital privat në kryeqytet. Dy të tjerët, 19-vjeçari Kian Mullahi dhe 34-vjeçari Arenc Stafa, janë jashtë rrezikut për jetën.
Katër të rinjtë kishin shkuar në Pjezë të Shijakut për të festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit te pista ku bëhen gara argëtuese te “Arena Karting Albania”. Kian Mullahi ishte kthyer nga Londra ku studion një ditë para ngjarjes për Pashkët. Tre të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin pasi janë edhe komshinj prej kohësh dhe i kanë banesat në Lundër ngjitur me njëri-tjetrin te Rolling Hills. Tre të rinjtë i ka çuar në Pjezë shoferi i familjes dhe pronarit të “Pelikani Security” me G Classin.
Atentati
Ngjarja u shënua rreth orës 21:50 të 17 prillit pranë Tregut Agro Ushqimor në Tiranë. Të katërt kanë qenë duke udhëtuar me një mjet luksoz tip “G Class” kur autorët i kanë qëlluar me armë zjarri. Dinamika është ende e paqartë, por burime për Report Tv bënë me dije se ndaj tyre është qëlluar me armë në Unazë të Madhe teksa kanë qenë në lëvizje dhe mjeti drejtohej nga 34-vjeçari, shoqërues i familjes së pronarit të “Pelikani Security”.
Nga dinamika që kanë ngritur deri më tani hetuesit, në përpjekje për t’u larguar, 34-vjeçari ka udhëtuar me mjet deri në zonën e Lundrës dhe më pas për shkak të plagëve që ka marrë ka humbur ndjenjat. Në këtë moment, persona të rastësishëm i kanë ndihmuar për t’i dërguar në spital.
"Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç. Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve", njoftoi Policia e Tiranës.
Autorët janë ende të paidentifikuar, por blutë kanë arritur të mësojnë se ata kanë qenë me një fouristradë dhe nuk dihet nëse e kanë ndjekur mjetin “G Class” nga momenti kur kanë shtënë me armë në drejtim të tij deri në Lundër, kur shoferi 34-vjeçar humbi ndjenjat. Mbetet e paqartë se kush ka qenë shënjestra e atentatit, por grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Autorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa pikat e kontrollit janë ngritur kryesisht në drejtim të Elbasanit, ndërsa deri më tani Policia e Tiranës nuk raporton që mund të jetë djegur mjeti i autorëve, siç ndodh me skemat tipike të atentateve.
Disa persona janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kryesisht dëshmitarë të vendit të ngjarjes, ndërsa në pyetje pritet të merren edhe familjarët e të plagosurve.