Arlind Qori: Atyre që kanë disa shtëpi, do t`ua kryp kokën me taksa!
Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, ka thene se lajthitja e çmimit të pronave në Tiranë, i ka rrënjët në paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit dhe ka lënë të pastrehë jo vetëm shtresat më të varfra të popullsisë, por edhe atë të mesme.
Nga Astiri, një lagje që dikur konsideruar si periferia e Tiranës, por ku një metër katror i apartamenteve po shkon 1400 euro, Arlind Qori premton ta korrigjojë çmendurinë e çmimeve që nuk kanë të ndalur dhe që po e shndërrojnë në “mollë të ndaluar” blerjen e një shtëpie për çiftet e reja.
Si do ta bëjë këtë Lëvizja Bashkë? Qori premton se do t’ua “krypë kokën me taksa” atyre që kanë disa shtëpi dhe i mbajnë stok, as i shesin, as i japin me qira duke ndikuar në rritjen e çmimeve.
“Punëtorët kanë vite që nuk blejnë dot shtëpi, por as në këtë lagje periferike si Astiri, nuk mund të blejë shtëpi as shtresa e mesme. Na duhen politika të reja që e bëjnë çmimin e shtëpive të përballueshëm. Lëvizja Bashkë kërkon të luftojë korrupsionin, kërkon të luftojë pastrimin e parave.
Paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë bërë që çmimet sot të jenë jashtëzakonisht të fryra, të mos i përgjigjen ekonomisë së vendit. Nga ana tjetër në duam të luftojmë spekulimin imobiliar. Ka sa e sa spekulantë që blejnë me dhjetëra apartamente ngado në Tiranë dhe nuk i shesin, nuk i japin me qira, por i mbajnë aty stok me bindjen se do t’u rritet çmimi dhe kësisoj çmimi rritet.
Lëvizja Bashkë ka në program që t’ua krypi kokën me taksa këtyre spekulantëve duke i shtrënguar kësisoj që apartamentet e mbetura stok t’i fusin në treg, t’i fusin për t’i shitur ose për t’i dhënë me qera” u shpreh Qori.
Në Tiranë llogariten rreth 50 mijë apartamente të tilla që nuk banohen nga askush por që nuk janë pjesë e tregut imobiliar. Paradoksi është se çmimet nuk po ulen, edhe pse lejet e ndërtimit në kryeqytet janë dhënë dhe vazhdojnë të jepen për kulla dhe pallate që hapin çdo ditë nga një gropë të re ndërtimi në kryeqytet.
Mbetet për t’u parë se sa do ta përqafojnë idenë e Qorit në Tiranë, pasi një pjesë e banorëve që kanë shtëpi në fakt, i gëzohen rritjes së vlerës së pronës së tyre.
Mesazhi i tij vazhdon se: “Në një shtet të kapur nga oligarkët, shtëpia është ëndërr e largët për shumicën e qytetarëve. Lëvizja BASHKË mund ta bëjë të përballueshme blerjen e një apartamenti përmes politikave të guximshme.”
Video e Arlind Qorit: