Mjekët shqiptarë frenojnë ikjen, rënie e fortë e kërkesave për largim jashtë vendit

Aktualitet

Mjekët shqiptarë frenojnë ikjen, rënie e fortë e

Largimi masiv i mjekëve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian duket se po njeh një frenim të ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare nga Urdhri i Mjekëve, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, është regjistruar një ulje drastike e numrit të mjekëve që kërkojnë tërheqjen e certifikatës së sjelljes së mirë – dokument ky i domosdoshëm për punësim në çdo klinikë të huaj.

“Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kishim 146 mjekë që kërkuan certifikatën. Këtë vit janë vetëm 46,” – deklaroi Dritan Trepça, president i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

Ky ndryshim sinjalizon një ndryshim të qartë të prirjes. Përveç frenimit të ikjeve, vihet re edhe një kthim i mjekëve të rinj që kanë punuar jashtë vendit. Sipas Trepçës, këta mjekë po aplikojnë për t’u përfshirë në sistemin publik përmes portalit të punësimit të mjekëve.

Paralelisht, një tjetër fenomen po fiton terren: mjekët e huaj që po vijnë të punojnë në Shqipëri, kryesisht në klinikat private. Kjo tendencë e re, edhe pse ende në hapat e parë, tregon se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një alternativë për profesionistët e shëndetësisë nga vende të tjera.

Megjithatë, largimi i bluzave të bardha mbetet një plagë e hapur për sistemin shëndetësor shqiptar, por edhe për vendet e tjera të Europës, që prej vitesh po përballen me mungesë të mjekëve dhe infermierëve.

 

ME TE LEXUARAT