E zhdukur prej 2 javësh, gjendet e vdekur në mes të fushave. Çfarë fshihet pas vdekjes misterioze të 53-vjeçares italiane?
Një ngjarje e rëndë dhe ende e mbuluar nga misteri ka tronditur Italinë. Trupi i pajetë i 53-vjeçares Erika Ferini Strambi u gjet rreth dy javë pas zhdukjes së saj, në një zonë të izoluar mes fushave dhe pyjeve në afërsi të aeroportit Linate.
Erika ishte parë për herë të fundit më 5 korrik, pasi kishte kaluar një mbrëmje me miq në një klub në Segrate. Ajo u largua me veturën e saj, një Mini Cooper i zi, model 2011. Kamerat e sigurisë e kanë kapur teksa lëvizte drejt zonës së Parkut Muzza, por më pas sinjali humbi. Telefoni i saj u fik në orën 07:00 të mëngjesit, me vendndodhjen e fundit pranë qendrës për kafshë “Il Pavone”.
Mjeti i saj u zbulua vetëm më 17 korrik, i përplasur në një kanal, pa shenja dhune apo hyrjeje me forcë. Por trupi i Erikës u gjet 200 metra më larg, në krahun tjetër të fushës, pranë dy patericave që ajo përdorte. Çanta dhe telefoni mungonin. Pozicioni i trupit dhe vendndodhja e çuditshme ngritën dyshime për një takim të mundshëm me dikë – ndoshta një burrë, sipas hetuesve.
Karabinierët kanë nisur hetime të thelluara, kanë marrë gjurmë gishtash dhe po analizojnë brendësinë e makinës. Deri më tani nuk ka prova të qarta, por rrethanat sugjerojnë se kemi të bëjmë me më shumë se një aksident të rastësishëm.
Shokët dhe familjarët e Erikës janë të shokuar. Ajo kishte pasur raste të mëparshme largimi, por gjithmonë kthehej pas pak orësh. Kjo zhdukje, e ndjekur nga një vdekje misterioze, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe një hetim i thellë është tashmë në proces.