Pensionet e 2024, 13% më të ulëta se mesatarja: Gjysma e qytetarëve marën pagesë të pjesshme
Pensionet e reja të daljes në vitin 2024 kanë qenë dukshëm më të ulëta se pensioni mesatar ekzistues, duke nxjerrë në pah një problem që rrezikon të thellohet me brezat e ardhshëm të pensionistëve.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), pensioni mesatar i pleqërisë në nivel kombëtar për vitin 2024 ishte 19,609 lekë, ndërsa masa mesatare e pensioneve për përfituesit e rinj ishte vetëm 17,022 lekë — një diferencë prej afro 2,600 lekësh ose rreth 13%.
Kjo tregon se qytetarët që dalin tani në pension marrin pagesa shumë më të ulëta krahasuar me gjeneratat e mëparshme, dhe ky hendek po rritet.
Shkaku kryesor lidhet me informalitetin e lartë në tregun e punës gjatë periudhës së tranzicionit dhe pamundësinë e shumë prej tyre për të plotësuar periudhën minimale të sigurimit që kërkohet për pension të plotë.
Në vitin 2024, vitet mesatare të sigurimit për pensionet e reja ishin vetëm 26.7, shumë poshtë pragut prej mbi 38 vitesh që kërkohet për një pension të plotë.
Reforma e vitit 2015 që rriti gradualisht vitet e kontributit dhe moshën e daljes në pension, megjithatë, nuk po arrin të zbusë këtë problem, përkundrazi, numri i pensioneve me pagesë të pjesshme u rrit në mbi 52% në 2024, nga 49.7% një vit më parë.
Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare këshillojnë që për të mbyllur këtë hendek duhet një paketë masash të integruara që përfshin luftën kundër informalitetit në tregun e punës, politika fiskale mbështetëse për pensionistët dhe reforma të thella në formulën e pensioneve.
Në të kundërt, diferenca mes pensioneve të vjetra dhe të reja do të vazhdojë të rritet, duke dëmtuar drejtpërdrejt standardin e jetesës së brezat e ardhshëm.
Ky është një sinjal i qartë që sistemi publik i pensioneve po përballet me sfida serioze, dhe pa ndërhyrje të menjëhershme, shumë pensionistë të ardhshëm do të përballen me pamundësi ekonomike, duke e bërë qëndrueshmërinë sociale dhe ekonomike të vendit më të brishtë.