Policia e Vlorës aksion në qytet, qindra masa administrative për parkime të gabuara

Aktualitet

Policia e Vlorës aksion në qytet, qindra masa administrative për

Policia e Vlorës ka shtuar kontrollet gjatë 24 orëve të fundit në qytetin bregdetar, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike në qytet dhe në zonat turistike.

Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e DVP Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë kanë intensifikuar veprimet për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve që parkojnë gabim automjetet e tyre.

Sipas Policisë, parkimet e gabuara kanë sjellë problematika në lëvizjen e këmbësorëve dhe të automjeteve të tjera, me fokus të veçantë zonat më të frekuentuara të qytetit, si: “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali”, Lungomare, si dhe akse të tjera me fluks të shtuar për shkak të sezonit turistik.

Policia bën me dije se janë vendosur qindra masa administrative ndaj drejtuesve që kishin zënë trotuaret dhe rrugëkalimet për këmbësorë, si edhe janë larguar me karrotrec dhjetëra automjete që pengonin qarkullimin në këto zona. Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, për të garantuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Policia Vlorë njofton se parkimi i dyfishtë nuk do të ndëshkohet vetëm administrativisht, por edhe penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.

ME TE LEXUARAT